SHBA-ja dhe Hungaria nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim bërthamor

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po qëndron të hënën në kryeqytetin hungarez për takime me kryeministrin Viktor Orban dhe qeverinë e tij, gjatë të cilave është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim civil bërthamor.

Trumpi ka qenë i hapur në mbështetjen e tij për Orbanin i cili synon rizgjedhjen në zgjedhjen kombëtare të 12 prillit. 

Orban dhe partia e tij Fidesz po përballen me sfidën më serioze që nga rikthimi i tij në pushtet në vitin 2010.

Ndalesa në kryeqytetin hungarez pasoi vizitën e Rubios në Sllovaki të dielën, pasi paraprakisht ai ishte prezent në Konferencën e Sigurisë në Munih, në Gjermani.

Të udhëhequra nga populistë euroskeptikë që kundërshtojnë mbështetjen për Ukrainën dhe mbështesin hapur Trumpin, Sllovakia dhe Hungaria përfaqësojnë terren miqësor për Rubion, ndërsa ai përpiqet të forcojë marrëveshjet energjetike me të dy vendet e Evropës Qendrore.

I konsideruar si mbështetësi më i besueshëm i presidentit rus, Vladimir Putin në Bashkimin Evropian, Orban ka ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Kremlinin pavarësisht luftës së tij kundër Ukrainës, ndërkohë që ka kultivuar mbështetje nga Trumpi dhe lëvizja e tij MAGA.

Shumë në MAGA dhe në botën më të gjerë konservatore e shohin Hungarinë si një shembull të nacionalizmit konservator të suksesshëm, pavarësisht erozionit të institucioneve të saj demokratike dhe faktit që është një nga vendet më të varfra të BE-së.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social më herët këtë muaj, Trumpi ka mbështetur Orbanin për zgjedhjet e ardhshme dhe e ka quajtur atë “një lider vërtet të fortë dhe të fuqishëm” dhe “një mik të vërtetë, luftëtar dhe fitues”.

Trumpi ka lavdëruar kundërshtimin e fortë të Orbanit ndaj emigracionit, të ilustruar nga gardhi që qeveria e tij ngriti në kufirin jugor të Hungarisë në vitin 2015, kur qindra mijëra refugjatë po largoheshin nga Siria dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Ndërkohë, detajet e marrëveshjes civile bërthamore nuk janë bërë të njohura përpara nënshkrimit të së hënës në Budapest.

Gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë në nëntor, Orbani kishte rënë dakord për bashkëpunim SHBA–Hungari në industrinë bërthamore civile, përfshirë blerjen e reaktorëve bërthamorë kompaktë, të njohur si reaktorë modularë të vegjël (SMR), si dhe magazinimin e karburantit të përdorur. /Koha.net/

Read Previous

Armand Duka merr edhe një mandat në krye të FSHF-së

Read Next

Dy legjenda drejt ringut? Tyson flet për përballjen me Mayweather