Administrata e Presidentit Donald Trump ka anuluar të paktën 6,000 viza për studentë të huaj, si pjesë e masave të reja për kufizimin e imigracionit dhe forcimin e kontrollit për të huajt në SHBA.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, arsyeja kryesore për anulimin ishte tejkalimi i afatit të qëndrimit dhe shkelje të ligjit.
Ai shtoi se “shumica dërrmuese” e studentëve të prekur akuzoheshin për vepra si “sulme fizike”, “drejtim mjeti në gjendje të dehur”, “vjedhje” dhe madje edhe “mbështetje të terrorizmit”.
Rreth 4,000 prej vizave u anuluan pikërisht për shkelje ligjore.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndërkohë ka ndërmarrë masa shtesë duke anuluar vizat e studentëve që kanë marrë pjesë në protesta kundër luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.
Rubio deklaroi se do të anulojë vizat “çdo ditë” për studentët që, sipas tij, shfaqin sjellje anti-amerikane.
Këto veprime ndjekin një urdhër ekzekutiv të firmosur nga Trump që në ditën e parë të presidencës së tij, ku kërkonte kontrolle të shtuara për personat që hyjnë në SHBA, për të parandaluar hyrjen e atyre që konsiderohen si “të rrezikshëm për vlerat amerikane”
Masat kanë sjellë përplasje mes administratës dhe institucioneve arsimore, me universitete që akuzojnë qeverinë për ndëshkim politik ndaj kritikëve të saj. /rtsh.al/