Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shtyrë seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit në orën 14:00.
Sipas saj, kjo po bëhet për t’i dhënë mundësi partive opozitare që të jenë të pranishme në seancë që të zgjidhet i pari i vendit.
“Gjykata vëren se me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, neni 86.4 i Kushtetutës siguron se presidenti duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, minus ata deputetët që kanë marrë leje nga kryetari i Kuvendit, dhe kandidati që merr më shumë se 80 ose më shumë vota nga deputetët në raundin e parë dhe të dytë do të zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrihet dy të tretat e shumicës mbahet raundi i tretë… Në këto rrethana të gjithë deputetët duhet ta ndiejnë veten të obliguar sipas Kushtetutës të marrin pjesë në seancat e Kuvendit”, tha ajo.
Haxhiu tha se veprimet e opozitës për të bojkotuar seancën për presidentin janë në kundërshtim me parimet e caktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Komisionit të Venecias dhe Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
“Nga këto konstatime të paraqitura më lart është evidente se veprimet e opozitës për të bojkotuar seancën për presidentin janë në kundërshtim me këto parime të përcaktuara… Prandaj e ftoj opozitën sërish që të vijnë në seancën për zgjedhjen e presidentit, të cilën e kemi nisur dje. Për t’i dhënë mundësinë atyre që të jenë të pranishëm në seancë, edhe pas të gjitha këtyre leximeve që i bëra të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, opinioneve të Komisionit të Venecias dhe raportit të Asamblesë të Këshillit të Evropës, po e vazhdojmë këtë seancë në orën 14:00”, tha ajo.
Ndërkaq potencoi se deputetja e vetme që ka arsyetuar mungesën e saj është Afërdita Hajrizi nga Grupi Parlamentar i LVV-së. /KosovaPress/
Përmbledhje:
- Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri nga ora 14:00.
- Seanca fillimisht ishte paraparë të niste në orën 10:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shtyu atë, me arsyetimin se dëshiron t’i japë kohë opozitës për të marrë pjesë.
- Deputetët e partive opozitare nuk u futën fare në seancën e sotme. Ata e bojkotuan edhe seancën e 27 prillit, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente – Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
- Ndonëse pa kuorumin e nevojshëm, votimi u zhvillua dhe Feride Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë ishte e pavlefshme.
- Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit, por pa sukses.
- Opozita i ka cilësuar si joserioze dhe të papranueshme ofertat e Kurtit – qoftë për pjesëmarrje në Qeveri apo për postin e kryeparlamentarit – duke iu përgjigjur me bojkotim.