Saga e Brukselit: Përfundon takimi trepalësh, pritet një i dytë më vonë

Në Bruksel të Belgjikës, pas gati tri orësh, përfundoi takimi trepalësh midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ku një ndër çështjet kryesore që u diskutua është ndalimi i dinarit serb në Kosovë dhe rruga drejt zgjidhjes.

Për dallim nga praktika e mëparshme në procesin e dialogut, posaçërisht në nivel të kryenegociatorëve, ku emisari sllovak fillimisht zhvillonte takime të ndara me të dy delegacionet, pastaj kalonte në takime trilaterale pas gatishmërisë së palëve, këtë herë Lajçaku duket se nuk ka pasur nevojë për takime veç-e-veç sepse qëndrimet e të dy vendeve për dinarin dihen.

Pas takimi trepalësh midis Bislimi, Lajçakut e Petkoviçit, tani do të zhvillohen dy takime bilaterale. Një cikël i ri i negociatave për dinarin mes Bislimit dhe Lajçakut tashmë ka filluar, raportoi “Radio Evropa e Lirë” para pak çastesh, ndërsa më pas pritet takimi mes delegacionit serb dhe ndërmjetësuesit evropian, para një takimi tjetër trepalësh më vonë gjatë ditës.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Megjithatë, përkundër se rreth 3 orë kanë kaluar që nga nisja e takimit, ende nuk dihet se cilat janë propozimet. Gjithashtu, nuk dihet nëse Bislimi, Petkoviçi apo Lajçaku, do të prononcohen për media pas takimit.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, deklaroi pas takimeve javën e kaluar se pret që në takimin e 25 marsit të vazhdohen diskutimet për “propozimet konkrete dhe zgjidhjen afatshkurtër” për çështjen e dinarit, duke shtuar se takimi i javës së kaluar u shërbeu palëve të angazhuara në terren “për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”/AlbanianPost.com

Read Previous

Si do të dukej udhëtimi në Mars dhe sa kohë do të zgjaste?

Read Next

Dora e shtrirë e Macronit ndaj Putinit: Ne punojmë me Moskën për të hetuar masakrën