Lavrov i kërkon Rubios ndalimin e dërgesave të armëve për Ukrainën
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke i bërë jehonë deklaratës së presidentit të SHBA-së Donald Trump, hodhi poshtë versionin e ri të traktatit të fundit të çarmatimit bërthamor midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“New Start” nuk i shërben më qëllimit të tij”, shkroi ai në X.
Në vend të kësaj, ai po këmbëngul në një marrëveshje që përfshin edhe Kinën, të cilën Trump e kishte mbështetur më parë në një intervistë në janar me “New York Times”.
“Një epokë e re kërkon një qasje të re”, tha Rubio në një postim.
Qeveria ruse shprehu së fundmi keqardhje për përfundimin e traktatit dhe mirëkuptim për qëndrimin e Pekinit për të mos marrë pjesë në negociatat e mundshme në të ardhmen.
“Arsenali bërthamor i Kinës nuk përputhet me potencialin e atij të Rusisë ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Kremlini.
Traktati i mëparshëm “New Start” u ra dakord midis SHBA-së dhe Rusisë në vitin 2010 dhe përfundoi dje zyrtarisht.
Marrëveshja kufizoi numrin e kokave bërthamore strategjike në 1,550 për secilën palë dhe numrin e lëshuesve operacionalë në 700.
Rubio argumentoi se Kina e kishte zgjeruar me shpejtësi arsenalin e saj që kur hyri në fuqi traktati “New Start”.
“Që nga viti 2020, Kina ka rritur rezervat e saj të armëve bërthamore nga vetëm 200 në më shumë se 600 dhe është në rrugën e duhur për të pasur më shumë se 1,000 koka bërthamore deri në vitin 2030”, shkroi ai.
“Një traktat për armët bërthamore pa përfshirjen e Kinës padyshim që, do t’i bënte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre më pak të sigurt”, tha Rubio.
Rubio gjithashtu uli pritshmëritë për një marrëveshje të re. “Marrëveshjet e mëparshme u paraprinë nga shumë vite negociatash, edhe pse vetëm dy fuqi të mëdha ishin të përfshira”, tha ai. /ATSH-DPA/