Rubin: Adem Demaçi tha ‘o pavarësi, o të vdesim të gjithë’

Për veprimtarin politik Adem Demaçi, James Rubin tha se pati një telefonatë të ashpër me Madeleine Albright, ku kishte thënë se ose do bëhej pavarësia ose do të vdesnin të gjithë.

Përpara kësaj, Rubin ka thënë se pas Rambujesë me Madeleine Albright e kishin thirrur Adem Demaçin se mendonin që kishte influencë mbi Thaçin dhe jo anasjelltas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument i cili tregohej se ishte i Albrightit lidhur me bisedat që ajo i ka pasur me Adem Demaçin, ndaj të cilit ishte kërkuar që ’a mbështeste Thaçin.

“Ai (Demaçi) tha se nuk më intereson se sa njerëz vdesin. Ka qenë biseda më e egër që kam dëgjuar ndonjëherë“, e kishte përshkruar Albright bisedën me Adem Demaçin.

Dëshmitari tha se ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur kjo bisedë telefonike.

“M’u kujtohet shumë mirë por na u duk se ishte një person që kishte autoritet jo fizik apo vertikal, por ideologjik. Hashim Thaçi mendonte se kishte nevojë për një person si Adem Demaçi që ta shtynim pak çështjen e pavarësisë. Ai nuk ka thënë që nuk duam pavarësi, por jo tani në këto momente dhe ai donte të tregonte se çështjen e pavarësisë mund ta diskojmë pak më vonë. Demaçi thoshte o pavarësi o le të vdesim”, tha Rubin.

Rubin tha se sipas tij, kjo ishte shenjë që Thaçi kishte nevojë për Demaçin.

“Sipas meje kjo ishte një shenjë që Thaçi kishte nevojë që Demaçi të thoshte që ta shtyjmë pak më vonë çështjen e pavarësisë. Prandaj, zoti Demaçi ishte eprori i tij nga vendimmarrja në këtë grup. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike nga themeluesi apo personi kryesor ideologjik”, tha ai.

James Rubin tha se kjo fjalë ‘o pavarësi, o do të vdesim të gjithë”, iu u duk e egër.

“…dhe u përmend fjala ‘i etur për gjak”.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Trump: Padi prej 15 miliardë dollarësh kundër ”New York Times” për shpifje

Read Next

Milani dhe Interi arrijnë marrëveshje për blerjen e “San Siros”