“Rrugës” i shpëton “Palma e Artë”, niset drejt një udhëtimi të gjatë

Në shansin e dytë të Kosovës, “Rrugës” i ka shpëtuar nga duart “Palma e Artë”, por tashmë i janë hapur shtigje të reja për një udhëtim të gjatë në festivale botërore. “Kinematografia jonë tanimë ka marrë vëmendjen ndërkombëtare dhe shpresoj se e gjithë industria jonë e filmit do të vazhdojë ta ketë vendin aty ku e meriton”, ka thënë regjisori Samir Karahodas pas ceremonisë. Në kategorinë e filmave të shkurtër “Palma…” ka shkuar në Kroaci për filmin “Njeriu që s’mund të qëndronte i heshtur” të Nebojsha Slijepçeviq, e fituesi absolut është filmi amerikan “Anora” i Sean Bakerit.

Romanca midis një punëtoreje seksi në Brooklyn dhe të birit të një oligarku rus që shkon deri në martesë, ka bërë për vete Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes duke i dhënë “Palmën e Artë”. Historia që shpaloset në filmin “Anora” nën regji e skenar të Sean Baker, ka edhe një tjetër episod: atë të insistimit të prindërve për ta ndarë të birin nga gruaja e tij. 

Si fitues i çmimit kryesor në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Anora” ka bërë që një produksion amerikan të triumfojë në Cannes pas suksesit të Terrence Malick më 2011 me filmin “The Tree of Life”. 

Spektakël më vete qe e shtuna mbrëma në rivierën franceze ku u ndanë çmimet e edicionit të 77 të festivalit të festivaleve.

Ikoniku Gerorge Lucas u nderua me “Palmën e Artë” të nderit kurse “Grand Prix” iu dha “All We Imagine as Light” nën regji të Payal Kapadia. Për regjinë më të mirë është shpërblyer Miguel Gomes, “Grand Tour”, aktori më i mirë është shpallur Jesse Plemons për rolin në filmin “Kinds of Kindness”, aktorët e filmit “Emilia Pérez” kanë ndarë çmimin për “Aktoren më të mirë”, përderisa ky film nën regji të Jacques Audiard ka marrë edhe “Çmimin e Jurisë”. Për skenarin më të mirë është shpërblyer Coralie Fargeat për filmin, “The Substance”. 

“Palma e Artë” për filma të shkurtër i është dhënë filmit ““The Man Who Could Not Remain Silent” nën regjinë e kroatit Nebojsha Slijepçeviq, kurse Mirënjohje Speciale në këtë kategori ka marrë “Bad for a Moment”, nën regji të Daniel Soares. Pikërisht në këtë kategori në garë ka qenë edhe “Rrugës” nën regji të Samir Karahodës. “Palma…” i iku nga duart dhe ky ishte shansi i dytë i Kosovës për çmimin e madh.

Ekipi i filmit “Rrugës” në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Cannes, të shtunën e 25 majit të vitit 2024. Nga e majta: Enis Saraçi, Ylber Mehmeti, Miron Karahoda, Samir Karahoda, Ben Vandendaele dhe Eroll Bilibani

“Palma e Artë” anashkalon “Rrugës” për një rrëfim tjetër ballkanik

Juria e filmave të shkurtër nuk ka zgjedhur që rrëfimi i Kosovës të jetë fitues i “Palmës së Artë”, por është ndalur te një tjetër histori ballkanike. “Njeriu që s’mund të qëndronte i heshtur” i Nebojsha Slijepçeviq është një histori e 27 shkurtit të vitit 1993 në Strpci të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas sinopsisit, një tren pasagjerësh nga Beogradi në Tivar të Malit të Zi ndalohet nga forcat paraushtarake në një operacion të spastrimi etnik. 

“Derisa largojnë civilë të pafajshëm, vetëm njëri nga 500 pasagjerë guxon t’u rezistojë atyre. Kjo është historia e vërtetë e një njeriu që nuk mund të heshtte”, shkruhet në aty. Regjisori kroat, Nebojsha Slijepçeviq, është i njohur për filmat e tij të shkurtër dhe ata dokumentarë. Slijepçeviq (51) më 2019 ishte garues edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren. Qe i nominuar për Çmimin për të drejta të njeriut me dokumentarin “Srbenka” e më 2016 kishte marrë Mirënjohje Speciale për dokumentarin “Something about life” në kategorinë kryesore, atë për dokumentar ballkanik. 

Në konferencën e mbajtur pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve ai ka thënë se nuk mund të japë përgjigje me film. 

“Krejt çfarë mund të bëj është të bëj pyetje. Në film kemi rrëfimin e një njeriu shumë trim që po të isha unë në vendin e tij nuk do të bëja ashtu pasi do të kisha frikë”, ka thënë Slijepçeviq, i cili i ka dërguar Kroacisë për herë të parë “Palmën e Artë”. 

“Është një arritje e madhe për një kinematografi të vogël. Aktualisht më bën të lumtur fakti që filmi im pas këtij çmimi do të jepet gjithandej dhe shumë njerëz do ta shohin atë”, ka thënë ai. Ka treguar se në Kroaci krijohet përshtypja se kinemaja po vdes, përderisa në Cannes mund të shihet ana tjetër: lulëzimi. 

Pos këtij filmi, “Rrugës” ishte në garë edhe me “Volcelest” të francezit Éric Briche, “Ootid” të lituanit Razumaitė Eglė, “Sanki Yoxsan” të regjisorit azerbajxhanas, Azer Guliev, “Les Belles Cicatrites” të francezit Raphaël Jouzeau, “Across the Waters” të kinezit Viv Li, “Perfectly a Strangeness” të kanadezit Alison McAlpine, “Tea” të amerikanit Blake Rice, “Yellow” të brazilianit André Hayato Saito dhe “Bad For a Moment” të portugezit Daniel Soares. Juria e kategorisë së filmave të shkurtër sivjet ishte në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programerit italian, Paolo Moretti, regjisores franceze Claudine Nougaret dhe regjisorit serb Vladimir Perishiq./Koha.net

Read Previous

G7 nuk arrin marrëveshje përfundimtare për përdorimin e aseteve ruse për Ukrainën

Read Next

Kafka – Shkrimtari i pavdekshëm edhe 100 vjet pas vdekjes