Samsung Galaxy S27 Pro dhe Ultra mund të sjellin për herë të parë teknologjinë DC Dimming
Muaji gusht ka shënuar një tjetër rekord për turizmin shqiptar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat pritëse gjatë Gushtit 2025 u rrit me 35,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, vizitorët jo-rezidentë – pra turistët e huaj – u shtuan me 40,6%, ndërsa vizitorët rezidentë (vendasit) me 21,6%.
Në të njëjtën linjë, edhe net qëndrimet shënuan rritje me 33,3%, me një rritje të ndjeshme të qëndrimeve të të huajve (+42,6%), ndërsa ato të vendasve u rritën me 11,7%.
Rritje e ndjeshme në zonat bregdetare
Sipas INSTAT, rritja më e madhe e vizitorëve të huaj është regjistruar në zonat bregdetare, me +47,8%, si dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme, me +35,2%.
Kjo tregon se sezoni veror ka përfituar ndjeshëm nga kërkesa e lartë për pushime pranë detit, duke reflektuar edhe përmirësimin e kapaciteteve akomoduese.
Nga cilat vende vijnë turistët
Në gusht 2025, Kosova vazhdon të kryesojë listën e tregjeve hyrëse me 21% të totalit të vizitorëve të huaj.
Pas saj vijnë Polonia (12%), Italia (10%), Franca (7%) dhe Gjermania (7%), ndërsa 43% e vizitorëve kanë ardhur nga vende të tjera të botës.
Këto shifra tregojnë se turizmi hyrës në Shqipëri po diversifikohet gjithnjë e më shumë, me një rritje të dukshme nga tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Rritet edhe norma e shfrytëzimit të hoteleve
Një tjetër tregues pozitiv është norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele, e cila u ngjit në 61,5% nga 59,6% në gushtin e vitit të kaluar – një sinjal për rritjen e kërkesës dhe zënies së kapaciteteve akomoduese.
Ndryshime rajonale
Rritja më e madhe është regjistruar në Rajonin e Jugut, ku numri i vizitorëve jo-rezidentë arriti në 206 mijë, ndjekur nga Rajoni i Veriut me 205 mijë dhe Rajoni Qendër me 238 mijë vizitorë.
Në total, gjatë gushtit 2025 u regjistruan 878 mijë vizitorë në strukturat akomoduese të vendit, nga të cilët 650 mijë ishin të huaj.