Rritja e temperaturave sjell rritjen e konflikteve

Termometri do të shkojë mbi 41 gradë ditën e sotme. Shqipëria do të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan. Metereologët thonë se e mërkura ka shënuar rritje të temperaturave, por sot do të jetë dita më e nxehtë e këtij muaji.

Krahas problemeve shëndetësore tek të sëmurët kronikë, temperaturat e larta mund të shkaktojnë stres dhe ankth.

Mjekja psikiatre Arjana Rreli, ka folur per ABC News, se në disa raste ka çrregullime psikologjike që mund të çojnë deri në konflikte ekstreme.

“Kur këto temperatura tejkalohen, ndizet një alarm që sigurisht ka shenjat e veta tek çdo person. Por shfaqet edhe me një rritje të nivelit të ankthit edhe irritabiliteti duke çuar në ulje të pragut të ngacmueshmërisë dhe duke gjeneruar konflikte ekstreme”, thotë ajo.

Për sa i përket personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, Rreli thotë se për shkak të mjekimeve që marrin, temperaturat e larta nuk ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes së tyre.

“Personat që janë diagnostikuar përgjithësisht nuk ka shumë ndikim sepse një person qe e ka identifikuar problematikën e vet përpiqet që të marrë masa që kjo problematikë të mos agravojë më tepër”, sqaron mjekja.

Mjekët këshillojnë që të shmangen daljet gjatë orëve të pikut dhe  konsumin e vazhdueshëm të lëngjeve./Botasot

Read Previous

Greqia ka frikë ta njohë Kosovën nga hakmarrja serbe për Qipron

Read Next

Rreziku nga aparatet e klimës