Banorët e rrugës “Lekë Dukagjini”, probleme me ndriçimin publik nga tetori 2025
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Gjermanisë (Bundestag), Micheal Roth, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e saj në “Twitter”, ka thënë se nevojitet një strategji e besueshme në adresimin e krizës në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht sa i përket pjesës veriore të Kosovës.
Dhjetë kryetarë të Komiteteve për Punë të Jashtme dhe 56 deputetë të shteteve perëndimore i janë drejtuar me një letër të përbashkët Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, në mesin e tyre edhe deputeti gjerman, lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në veriun e trazuar të Kosovës.
“Ne kemi nevojë për një strategji të besueshme që i përkushtohet lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe diplomacisë parandaluese”, ka shkruar Roth në llogarinë e tij, derisa ka shpërndarë letrën e plotë ku kërkohet një ndryshim substancial i qasjes së Perëndimit ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Në letrën e parlamentarëve të Britanisë së Madhe, Çekisë, Ukrainës, Irlandës, Islandës, Estonisë, Lituanisë, Italisë, Holandës, Kanadës, Austrisë dhe Suedisë, thuhet se baza e politikës së jashtme përndimore ndaj krizës aktuale në veriun e Kosovës, duhe të jetë fakti se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.
Ata kanë kërkuar nga kryediplomatët evropiano-amerikanë një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se në adresimin e krizës në veriun e Kosovës, politika perëndimore duhet të udhëhiqet nga “diplomacia parandaluese” dhe “gabimet e së kaluarës”.
Politikat aktuale të BE-së, SHBA-ve dhe BM-së, veçanërisht në lidhje me Serbinë dhe Kosovën, nxjerrin në pah “pika të dobëta në qasjen tonë të përbashkët”, ndërsa ndër të tjera theksohet edhe domosdoshmëria për kthimin e “ekuilibrit dhe proporcionalitetit” në marrëdhëniet e botës perëndimore me Kosovën dhe Serbinë.
Gjithashtu, në letër shprehet shqetësimi se diplomatët perëndimorë po ndjekin një politikë të butë ndaj Serbisë, nga frika se ajo mund të rreshtohet në anën e Rusisë, në një kohë kur regjimi serb refuzon vendosjen e sanksioneve kundër Moskës për agresionin e paprovokuar ndaj Ukrainës. /Albanianpost.com