Rezultatet e PISA 2025, Rama: Jemi të parët në rajon

Shqipëria ka regjistruar një përmirësim të fortë në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025, duke shënuar rritje në të tre fushat kryesore të vlerësimit: matematikë, shkencë dhe lexim.

Sipas të dhënave të bëra publike, nxënësit shqiptarë kanë përmirësuar rezultatin me 65 pikë në matematikë, 59 pikë në shkencë dhe 50 pikë në lexim. Ky progres, sipas kryeministrit Edi Rama, e rendit Shqipërinë në vendin e parë në rajon.

Rama e konsideroi rezultatin një tregues të rëndësishëm të punës së bërë në sistemin parauniversitar, duke theksuar se përmirësimi nuk ka ardhur rastësisht, por pas një pune të fokusuar gjatë vitit të fundit.

“Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme”, u shpreh Rama, duke ia atribuar këtë arritje nxënësve, mësuesve dhe strukturave drejtuese të arsimit.

Sipas kryeministrit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar drejtuesve të shkollave dhe problematikave të evidentuara nga testimet e mëparshme. Ai tha se objektivi ka qenë ndërhyrja konkrete në ato fusha ku performanca e nxënësve kishte nevojë për përmirësim.

Rama e lidhi gjithashtu rritjen e rezultateve me rikuperimin pas goditjes që pandemia e COVID-19 pati mbi arsimin. Ai kujtoi se Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, kishte pësuar rënie në rezultatet e mëparshme.

“Pas atij momenti çorodie që shkaktoi Covid dhe të gjitha vendet në fakt ranë, ne patëm një rënie të ndjeshme”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë në Ministrinë e Arsimit dhe me drejtuesit e institucioneve arsimore, duke e cilësuar rezultatin e PISA 2025 si një sinjal pozitiv për sistemin arsimor shqiptar.

Sipas Ramës, rëndësia e këtij rezultati shkon përtej rritjes së pikëve, pasi Shqipëria, sipas tij, ka lënë pas edhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian në renditjen e testimit. /RTKlive

Read Previous

Pupovci: Rezultatet e PISA-s nuk duhet të harrohen pas dy-tri ditësh

Read Next

Liga e Kampionëve vazhdon sonte me ndeshje spektakolare