Banorët e rrugës “Lekë Dukagjini”, probleme me ndriçimin publik nga tetori 2025
Vala e re e shiut që nisi në orët e mbrëmjes të së premtes dhe vazhdoi gjatë së shtunës ka shkaktuat sërish vërshime, që përmbytën shtëpi e fshatra dhe bllokuan rrugë në disa pjesë të Kosovës.
Në Drenas, përmbytjet u shkaktuan pasi lumi Drenica doli nga shtrati. E si pasojë e akumulimit të ujërave, u mbyll përkohësisht për qarkullim një segment i rrugës Ferizaj–Prishtinë, ndërsa edhe të tjera në Malishevë, Suharekë dhe Gjilan u bënë të pakalueshme
Ende pa u ulur niveli i ujit në disa lumenj dhe përrenj të Kosovës, ato dolën sërish nga shtrati të shtunën, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që nisën në mbrëmjen e së premtes dhe vazhduan gjatë pothuajse gjithë ditës.
Vala e re e ujit vërshoi shtëpi, fusha dhe biznese, ndërsa bllokoi edhe rrugë të ndryshme në komuna të ndryshme të Kosovës.
Në Drenas, dalja nga shtrati e lumit Drenica shkaktoi bllokimin e rrugës kryesore dhe krijoi kolona të gjata gjatë gjithë ditës, ndërsa uji vërshoi edhe në shtëpi dhe toka bujqësore përreth.
“Zyrtarët e komunës janë në terren dhe po merren me përmirësimin e gjendjes nga vërshimet. Janë vizituar disa familje që u prekën nga situata dhe ato u mbështetën me pako ushqimore falë donatorëve. Pakot ushqimore u dhanë për familjet që kishin më shumë nevojë”, u tha në njoftimin e Komunës së Drenasit.
Nga shtrati, në disa pjesë, ka dalë edhe lumi Mirusha, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Por në komunën e Malishevës, situatën e kanë kualifikuar të menaxhueshme.
“Në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave. Si rezultat i prezencës së ujit në rrugë, aktualisht me vështirësi të kalueshme janë: rruga “Hamdi Berisha” në Malishevë, transiti afër lagjes Hoti, rruga Malishevë-Banjë, rruga Mirushë-Gurbardh, rruga Lubizhdë-Turjakë, ura në Lubizhdë, një urë në një lagje të fshatit Damanek, si dhe rruga për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka prezencë të ujit”, u tha në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Si pasojë e akumulimit të ujit, Policia gjatë ditës e bllokoi përkohësisht për qarkullim një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë.
“Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar”, ka njoftuar Policia.
Reshjet kanë rënduan qarkullimin e automjeteve në rrugë të tjera kryesore. Kolona disakilometërshe u krijuan në të dyja kahet e autostradës Prishtinë-Pejë, shkaku i nivelit të ujit në Sllatinë, te kyçja për aeroport.
Situatë e ngjashme me rrugë është edhe në Komunën e Gjilanit, ku qytetarëve iu kërkuan t’i shmangin përkohësisht rrugën për Kufcë në Malishevë, rrugën ndërmjet dy Livoqëve, si dhe magjistralen Gjilan–Ferizaj në zonën e udhëkryqit të rrugës së Cërnicës.
Edhe në Suharekë, u bë thirrje për kujdes gjatë kalimit në disa rrugë të vërshuara.
“Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpërbishtit është e bllokuar. Rruga që shkon nëpër bjeshkë është e bllokuar. Unë apeloj te qytetarët me pas kujdes. Ftojmë inspektorët me ardhë dhe vendos shiritat. Ne jemi në terren bashkë me ekipin e zjarrfikësve”, ka thënë kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë së dielës, ndërsa java e ardhshme do të karakterizohet me rënie të temperaturave dhe me paraqitje të acarit. /Koha.net/