Reddit padit Australinë për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Reddit ka depozituar një padi në Gjykatën e Lartë të Australisë, duke sfiduar ligjin e ri që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën 16 vjeç. Padia u dorëzua vetëm dy ditë pasi platforma filloi të zbatojë kufizimet e reja të moshës për përdoruesit.

Në një njoftim publik, Reddit deklaroi se e mbështet mbrojtjen e fëmijëve në internet, por paralajmëroi se ligji “detyrimisht imponon procese potencialisht të pasigurta verifikimi, si për të rriturit ashtu edhe për të miturit, duke izoluar adoleshentët nga përvoja komunitare të përshtatshme për moshën”.

Platforma kritikoi edhe përzgjedhjen e rrjeteve të përfshira në ndalim, të cilën e quajti “të paqartë dhe jologjike”. Reddit citoi Komisionin Australian për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit ka alternativa më pak kufizuese për të mbrojtur të miturit pa cenuar liritë e tjera themelore.

Reddit pretendon se ligji shkel lirinë e nënkuptuar të komunikimit politik dhe vë në pikëpyetje faktin nëse platforma duhet të klasifikohet si rrjet social me kufizime moshe. Kompania theksoi se nuk po kërkon shmangien e ligjit dhe se ka zbatuar masat e verifikimit që prej së mërkurës.

Sipas Reddit, shumica e përdoruesve janë të rritur dhe platforma nuk targeton reklama për fëmijë nën 18 vjeç. Edhe vlerësimi i moshës në Apple App Store për Reddit është 17+.

“Pavarësisht synimeve të mira, ky ligj nuk po i mbron realisht të rinjtë online”, theksoi kompania. “Ne do të respektojmë ligjin, por kemi detyrimin të paraqesim perspektivën tonë dhe ta çojmë çështjen në shqyrtim gjyqësor.”

Kjo padi është e ndarë nga ajo e ngritur nga grupi Digital Freedom Project, i udhëhequr nga deputeti libertarian John Ruddick. Seanca e radhës për këtë grup pritet të zhvillohet në fund të shkurtit, ndërsa çështja e Reddit mund të merret në shqyrtim vitin e ardhshëm.

Ekspertët ligjorë mbeten të ndarë në qëndrime. Prof. Sarah Joseph nga Universiteti Griffith vlerëson se ligji ndërpret për të miturit një kanal të rëndësishëm të informimit politik, megjithëse nuk është qëllimi i tij. Por, ajo shtoi se paditë e bazuara në lirinë e nënkuptuar të komunikimit politik zakonisht dështojnë, pasi Gjykata e Lartë e konsideron legjislacionin proporcional me qëllimin publik të mbrojtjes së të miturve.

Edhe profesor Luke Beck nga Monash University argumentoi se ndalimi “ul vetëm lehtë” vëllimin e komunikimit politik në Australi, prandaj gjasat janë që qeveria të dalë fituese.

Në dokumentet e publikuara, Reddit i kujtoi autoriteteve se platforma funksionon si komunitet pseudonim, i bazuar në diskutime rreth temave specifike dhe jo në rrjete sociale me profile personale, miqësi apo prani në kohë reale. Kompania tha se mbledh vetëm informacion minimal për përdoruesit, pikërisht për të ruajtur anonimitetin.

Dhjetë platformat e prekura nga ligji Twitch, Kick, YouTube, Threads, Facebook, Instagram, Snap, X, TikTok dhe Reddit, kanë zbatuar tashmë masa përputhëse me ligjin.

Reddit pret që çështja të gjykohet vitin e ardhshëm, ndërsa debati mbi balancën mes mbrojtjes së të miturve dhe lirisë së komunikimit vijon të ndezur në Australi. /tvklan.al

Read Previous

Ekspertët: Bota është shumë larg arritjes së objektivave të saj klimatikë

Read Next

Kush është favoriti për të fituar Kupën e Botës? Flet Luís Figo