Rasti i Salih Mustafës, seancat e Apelit pritet të mbahen në fund të tetorit

Paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar seancat e Apelit në çështjen e Salih Mustafës më 26 dhe 27 tetor 2023.

Një gjë e tillë, është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

Ndaj këtij aktgjykimi, Salih Mustafa ka dorëzuar dosjen e tij të apelit, kurse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit e viktimave duhej të dorëzojnë dosjet e përgjigjeve deri më 5 qershor 2023.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Sipas Prokurorisë, Salih Mustafa në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.  /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Prokurori i Shtetit njofton se për 24 orë janë ndaluar 16 persona

Read Next

Nxënësit në veri do të kthehen sërish në bankat shkollore