Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, po shfaqen video-incizimet e ditës kritike, kur u vra tani e ndjera Liridona Ademaj. Pamjet tregojnë lëvizjet e të akuzuarve në ditën krtike.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se fillimisht paraqiten pamjet e 29 nëntorit 2023, nga shtëpia e Naim Murselit, ku shihet teksa ky i fundit del nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, tek pompa e derivateve shihet kur vjen Granit Plava, e pas tij Naim Murseli me veturë të tipit “Range Rover”. Kjo pompë gjendet në fshatin Cermjan.
Më pastaj, shihet momenti kur tani e ndjera Ademaj arrin në Bërnicë në shtëpinë e saj.
Në pamje të tjera, u shfaq vetura “Seat” e Granit Plavës dhe më pas ajo “Range Rover” e Naim Murselit. Shihen dy të akuzuarit duke dalë nga vetura, teksa i akuzuari Murseli afrohet tek Plava, i flet diçka dhe më pas shkon në dyqan.
E më pastaj, pamjet tregojnë Murselin duke i dhënë pije energjike Plavës.
Pamjet e tjera tregojnë rrugën “Dalip Alshiqi” në Bërnicë, ku edhe ndodhi vrasja. Aty shihet se si vetura “Range Rover” vjen e para dhe 3 sekonda më pas në vendin e njëjtë pas asaj veture vjen vetura “Seat”. Pra, arrijnë së bashku nga pompa e derivateve.
Fotografia e 29 nëntorit 2023, e orës 17:49:30, pamje të shkëputura nga kamerat e sigurisë së një shtëpie, tregojnë veturën “Range Rover” të cilën e drejton Murseli. Po ashtu, kamerat e të njëjtës shtëpi kanë kapur edhe veturën e Plavës në vendin e njëjtë pas 7 sekondash.
Më pastaj, shihet teksa Naim Murseli arrin para shtëpisë së tij, ku edhe dalin fëmijët dhe tani e ndjera Liridona Ademaj. Më pas, me veturë “BMW”, ata nisen nga aty dhe pamje tregojnë kur mbërrijnë në restorant në Graçanicë.
Sipas pamjeve, shihet teksa arrin edhe vetura “Seat” e Plavës. Gjithasht, në pamje tregohet kur Murseli me familje hyjnë në restorant dhe pas tyre futet edhe Plava, i cili ulet në pjesën e kundërt të asaj ku qëndronin Murseli me familje.
Gjithnjë sipas pamjeve që po shfaqen në Gjykatë, shihet më pastaj Murseli me tani të ndjerën dhe dy fëmijët e tyre duke dalë nga restoranti, e që para kësaj, Murseli afrohet tek tavolina e Plavës.
Më tutje, pamjet tregojnë dy veturat kur dalin nga parkingu i restorantit njëra pas tjetrës. Dhe se gjatë gjithë kohës, vetura “Seat” ishte pas “BMW”.
Derisa po shfaqeshin pamjet, në audio dëgjohet krisma e armës dhe zërat e fëmijëve.
Sipas kamerave të sigurisë, krisma dëgjohet në orën 03:17:22 (pasi kamerat janë 7 orë para). Ndërkaq koha reale e vrasjes kur dëgjohet krisma është 20:17:22.
Video:
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Detajet nga deklarimet e të akuzuarve në Prokurori dhe Polici, mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.