Rasti i Arlinda Zekajt: Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla mbajnë sot konferencë për media

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot konferencë të përbashkët për media, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Konferenca është paralajmëruar të mbahet në orën 09:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, pas dorëzimit të raporteve nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme në Zyrën e Kryeministrit.

Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se ka pranuar raportet e detajuara nga dy ministritë, të cilat do të shqyrtohen për të identifikuar rrjedhën e rastit, lëshimet e mundshme institucionale, neglizhencën dhe mosreagimin eventual të institucioneve përgjegjëse.

Sipas njoftimit të ZKM-së, shqyrtimi do të përfshijë edhe përgjegjësinë institucionale dhe trajtimin e rastit në të gjitha fazat e tij.

Ndërkohë, konferenca e dy ministrave mbahet në kohën kur për tri ditë radhazi në Prishtinë po zhvillohen protesta për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për gratë e vrara.

Protestuesit, të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ndër kërkesat kryesore kanë edhe dorëheqjen ose shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ata po kërkojnë gjithashtu hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt, si dhe llogaridhënie për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Konjufca shpreh ngushëllime për viktimat e aksidentit me helikopter të EUFOR-it