Raporti i Bankës Botërore për Ballkanin tregon se ekonomia e Kosovës po ruan një ritëm të rritjes pranë 4 për qind në afat të mesëm, por ngadalësimi ekonomik dhe rikthimi i presioneve inflacioniste në vitin 2025 po ndikojnë negativisht tek të ardhurat reale të familjeve.
Inflacioni i përgjithshëm arriti në 4.3 për qind në korrik, duke gërryer fuqinë blerëse. Sipas raportit investimet private dhe publike janë rritur mbi 13 për qind, ndërsa sektori financiar po zgjeron aktivitetin, por flukset e investimeve të huaja dhe remitancat mbeten më modeste se sa pritej, duke zgjeruar deficitin e llogarisë korrente.
Raporti paralajmëron se pasiguria politike, mungesa e qeverisë funksionale dhe sfidat strukturore, përfshirë diversifikimin e ulët ekonomik, pjesëmarrjen e kufizuar të grave në punë, emigrimin e të rinjve dhe një sektor privat të përqendruar tek ndërmarrjet e vogla, kërkojnë reforma të thella për një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. /RTK/