Azemi: Buxheti i Kosovës nuk duhet të jetë vetëm i punëtorëve të sektorit publik
Anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje më urgjente për Kosovën dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) sesa anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuar (OKB) apo Bashkimin Evropian (BE), thuhet në një raport të titulluar “Nga kriza në konvergjencë: Një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në rrënjë” të publikuar rishtas.
Gjithashtu, përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s (PfP), në bazë të raportit, do të çonte në stabilizimin e menjëhershëm të disekuilibrit të paqëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht në dritën e zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Në raportin në fjalë jepen shtatë arsye pse kjo duhet të ndodhë.
Së pari, anëtarësimi i Kosovës në NATO i ofron vendit të vogël ballkanik diçka që i nevojitet më shumë aktualisht: siguri dhe personalitet ndërkombëtar, konsideron raporti i ekspertëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, shtojnë autorët e raportit, ndryshe nga përvoja e BE-së, ekziston një precedent për të arritur anëtarësimin në NATO pa qenë anëtare e OKB-së.
“Italia dhe Portugalia në vitin 1949 dhe Gjermania Perëndimore në vitin 1955 iu bashkuan NATO-s përpara se të ishin anëtarë të OKB-së. Të tre precedentët forcojnë apelin e Uashingtonit për aleatët rreth Kosovës”, kujton raporti, ndërsa duke pasur parasysh pozicionet e vendosura të Rusisë dhe Kinës, anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta zbehë ndikimin e OKB-së.
Arsye shtesë pse anëtarësimi i Kosovës në NATO në kushtet aktuale është shumë më i rëndësishëm se anëtarësimi në OKB apo BE, vlerëson raporti, qëndron në faktin se vendimmarrja në NATO është shumë i realizueshëm sesa në BE apo OKB. Anëtarësimi i Kosovës konsiderohet të jetë katalizator për qëndrimin skeptik të BE-së për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.
“NATO shërbeu si pararendës de fakto për çdo vend që është anëtarësuar në BE që nga rënia e Murit të Berlinit, duke përjashtuar Maltën dhe Qipron. Hyrja e Kosovës, së pari në Parneritetin për Paqe (PfP), dhe përfundimisht në aleancë, do të stabilizonte rajonin dhe do të kthente ndjenjën e humbur se fati i rajonit është anëtarësimi afatshkurtër në BE”, thuhet në raport.
E arsyeja e fundit pse duhet të shtyhet përpara ambicia e Kosovës drejt NATO-s merr parasysh faktin se ndryshe nga BE-ja, aleanca e NATO-s përfshin SHBA-në dhe Britaninë e Madhe – një avantazh i qenësishëm në avancimin e çështjes së Kosovës, posaçërisht duke qenë se Uashingtoni dhe Londra janë mbështetës të fuqishëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). /Albanianpost.com