Rama: Shkollë kombëtare për Forcat Speciale në bashkëpunim me Izraelin

Në bazën ajrore në Rinas u çel sot shkolla kombëtare e Fluturimit, një hap i rëndësishëm për modernizimin e Forcës Ajrore Shqiptare, investim në njerëz, teknologji dhe të ardhmen e mbrojtjes sonë kombëtare, që do të përgatisë pilotët dhe kontrollorët e fluturimit sipas standardeve të NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri me dije se pas krijimit të shkollës kombëtare të Fluturimit, hapi i radhës do të jetë ngritja e shkollës kombëtare të Forcave Speciale, një projekt që do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë izraelite Elbit Systems.

Sipas Ramës, qeveria shqiptare është në diskutime për të sjellë në vend një nga qendrat më të njohura në botë për stërvitjen, trajnimin, edukimin dhe certifikimin e forcave speciale nga Izraeli.

Kreu i qeverisë theksoi se shkolla do të jetë e hapur edhe për kadetë nga vendet aleate të rajonit, duke nisur nga Kosova, por edhe nga vende të tjera.

“Pas shkollës kombëtare të Fluturimit, hapi tjetër është shkolla kombëtare e Forcave Speciale. Përsëri me partnerët tanë të Elbit Systems Jemi në diskutime për të sjellë këtu një nga ekselencat botërore të stërvitjes, të trajnimit, të edukimit dhe certifikimit të Forcave Speciale nga Izraeli. Përsëri Shkolla Kombëtare  Forcave Speciale do të jetë një shkollë e hapur për të gjithë të tjerët, do të mirëpresë kadetë nga vendet aleatë të rajonit, dake filluar nga Kosova, por edhe më gjerë.

“Ambicia jonë është që të dyja këto pole të reja të edukimit, por edhe të transformim të sistemit tonë të mbrojtjes, të  kthehen në pole ekselence përtej kufijve të vendit tonë dhe garancia jonë për këtë janë miqtë dhe aleatë tanë të Forcave të Sigurisë, të Forcave Speciale të Forcave Ajrore të Izraelit. Natyrisht shkolla do të bashkëpunojë dhe me partnerë të tjerë, do të jetë e hapur dhe për lidhej të tjera, por fillimi është shumë i mbarë”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek kapacitetet detare të vendit, teksa theksoi se janë planifikuar dhe buxhetuar ndërtimi i anijeve të reja ushtarake në kantierin Fincantieri Albania në Pashaliman.

“Dua t’i siguroj dhe forcat detare se buzëqeshja e tyre do të shtyhet dhe më tutje me ndërtimin e anijeve të reja të cilat janë planifikuar dhe buxhetuar të ndërtohen në Fincantieri Albania në Pashaliman dhe ndërkohë falë bashkëpunimit të KAYO me Fincantieri dhe përfshirjes së shtetit në atë kompani ne do të sigurojmë dhe të ardhurave pasi me ezaurimin e nevojave tona do të vazhdojmë të ndërtojmë anije luftarake të asaj tipologjie së bashku me partnerë italianë për t’i eksportuar në drejtim të të gjitha vendeve aleate që janë në nevojë për atë tipologji anijesh ushtarake”, tha Rama. /ATSH/

Read Previous

Presidenca e Irlandës në BE: Ekonomia dhe Ukraina në fokus

Read Next

Alisson: Fakti që nuk na shohin favoritë na karikon