Si prodhohet djathi, një ndër specialitetet e Qumështores Gexha
22 shkurt 2026 – Ashtu si çdo fundjavë, kryeministri Edi Rama, foli edhe sot për ngjarjet kyçe të javës politike, në podcast-in e tij.
Fillimisht u ndal te angazhimi që do të ketë Shqipëria në Bordin e Paqes dhe sigurisht kërkesa e tij në Washington drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump, për gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK-ja ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre”, tha Rama.
Afro tre vjet ka zgjatur procesi në Gjykatën Speciale në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Në seancën e fundit, të katërtit, në deklaratat përmbyllëse u deklaruan të pafajshëm. Mbrojtja e tyre ka kërkuar lirimin, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili. Gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen.
ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Ish-drejtuesit e UÇK-së janë arrestuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë nisur me dy vjet e gjysmë vonesë, përkatësisht në prillin e vitit 2023.
Rijetëzimi i “Epidamn”, Rama u përgjigjet aludimeve
Kryeministri sqaroi keqinterpretimet lidhur me projektin e rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn” në Durrës, duke theksuar se zona Arkeologjike A është thesar i trashëgimisë kombëtare dhe botërore, me monumente si Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin dhe Termat Romake.
Rama theksoi se projekti nuk është i papritur, por bazohet në programin e qeverisë dhe Planin e Menaxhimit të Integruar të vitit 2022, dhe është një detyrim ligjor dhe ndërkombëtar, përfshirë synimin për t’u futur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ai sqaroi se ndërhyrjet, përfshirë shpronësimet e nevojshme, janë të një natyre të drejtë dhe të ndjeshme ndaj banorëve, duke vënë përpara interesin kombëtar dhe ruajtjen e trashëgimisë historike, siç ndodh edhe në projekte të ngjashme ndërkombëtare në Romë dhe Athinë.
Nuk la pa u ndalur te draft-rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë.
“Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane dhe në ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë dhe domethënës në procesin e negociatave me nënvizimin rreth ambicies sonë që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027, duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha kreu i qeverisë.
Ripërsëriti lajmin e mirë për rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, përfshirë RENEA, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Posaçme Operacionale, të cilët përfitojnë rritje page.
Po ashtu, nënvizoi se 167 milionë euro, të kursyera nga buxheti i vitit 2025, do të depozitohen në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
Vizita në Kosovë
Së fundmi, por jo nga rëndësia, foli për vizitën në Kosovë dhe telefonatën me ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së. Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin.
Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët.
Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!”, përfundoi Rama. /tvklan.al
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.