• 10 December, 2022

Rama: Porti i ri i Durrësit, motor ekonomik për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se porti i ri i Durrësit do të jetë motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama përshëndeti votimin e marrëveshjes nga Kuvendi me 74 vota pro dhe 35 vota kundër.

“Me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se Porti Turistik i Durrësit është investimi më i madh i huaj në historinë e vendit, i cili do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.

Kryeministri tha se ai do të jetë një motor ekonomik që do të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rama u shpreh se shteti nuk fal asnjë taksë në rastin e ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit, por përfiton 1.069 miliardë euro nga taksat.

Sipas tij, “për herë të parë në histori shteti është edhe ortak me një investitor të huaj, i cili investon të paktën 2.1 miliardë”.

Kuvendi i Shqipërisë votoi mbrëmjen e djeshme me 74 vota pro dhe 35 vota marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”. / atsh / KultPlus.com

Read Previous

Një letër e nënshkruar nga Charles Darwin del në ankand për 1 milion £

Read Next

RRGK: Vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional në trajtimin e dhunës me bazë gjinore