Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përshëndetur veprimin dhe qasjen institucionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos në sheshin “Nënë Tereza”.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se e vërteta historike e Kosovës nuk mund të vihet në diskutim, duke e cilësuar atë si një themel të pandryshueshëm të drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar.
Reagimi i plotë:
“E përshëndes veprimin dhe qasjen institucionale të Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
E vërteta historike e Kosovës nuk është çështje interpretimi, por themel i pandryshueshëm i drejtësisë dhe i dinjitetit kombëtar. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar apo manipuluar atë duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale.
Është koha e fundit që individë jokompetentë dhe të papërgjegjshëm të mos tolerohen të manipulojnë periudhat më të dhimbshme dhe më të rëndësishme të historisë sonë. Historia nuk është hapësirë për eksperimente, as për narracione të rreme.
Presim që institucionet e drejtësisë të veprojnë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon të vërtetën historike dhe rendin kushtetues.“, thuhet në reagimin e Ramës.
Ndërkohë, përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bëri të ditur se Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës është duke i përcjellë me vëmendje informacionet lidhur me këtë ekspozitë.
Sipas njoftimit, rasti do t’i nënshtrohet vlerësimit në përputhje me kompetencat ligjore dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, për të përcaktuar nëse ekzistojnë elemente të përgjegjësisë penale.