Reagon Haxhiu lidhur me ekspozitën e subvencionuar nga Kuvendi që u vendos në shesh
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Korenica, ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së bazuar në librin e Shkëlzen Gashit, duke e cilësuar si “masakrim të dyfishtë të historisë” një rast që sipas tij, përbën shtrembërim të qëllimshëm të së kaluarës së luftës në Kosovë.
Sipas Korenicës, përpjekje të tilla për të rishkruar historinë ndodhin pikërisht në kohën kur përkujtohen masakrat e kryera gjatë luftës.
Reagimi i plotë:
Masakrimi i dyfishtë i historisë
Me paratë e taksapaguesve të shtetit tonë, të mbështetur financiarisht nga Kuvendi i Kosovës, dy jugonostalgjikë, Xeni dhe Rroni, janë shndërruar në argatë të fuqishëm të Serbisë, duke shtrembëruar historinë tonë çlirimtare. Dhe këtë e bëjnë pikërisht në një kohë kur në të gjitha trevat tona përkujtohen civilët e vrarë e të masakruar nga forcat gjenocidale serbe.
Masakrat në Krushë të Madhe, në Pastasel, në Celinë, në Fortesë, në Mejë, në Likoshan, në Prekaz, në Çirez, në Kleçkë, në Rezallë, në Izbicë dhe në shumë vende të tjera, janë dëshmi të pamohueshme të një spastrimi etnik me karakter gjenocidal ndaj një populli që ndër shekuj ka refuzuar t’u nënshtrohet sundimit barbar e kriminal serb.
Si dy “apostuj” të Lëvizjes VETËVENDOSJE, që dalin si këpurdha pas shiu, marrin guximin që të masakruarit, gra, fëmijë e pleq, t’i quajnë CIVILË TË ARMATOSUR. Pikërisht ashtu siç ka tentuar gjithmonë t’i paraqesë Serbia.
Ironia bëhet edhe më e madhe kur, pas reagimeve të drejta të qytetarëve, ata dalin dhe arsyetojnë këtë narrativë pro-jugosllave duke u mbështetur në materiale të promovuara nga Natasha Kandiç.
Një popull që ka derdhur gjak për liri nuk mund ta durojë këtë fyerje publike dhe këtë shtrembërim të historisë në shërbim të narrativës millosheviqiane, e aq më pak në sheshin e Prishtinës.
Ky skandal, për fat të keq, është financuar nga institucionet e shtetit të Kosovës, konkretisht nga Kuvendi i Kosovës, me paratë edhe të atyre qytetarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre.
Për këtë duhet të ketë përgjegjësi të qartë institucionale dhe morale. Ky nuk është një lapsus apo keqkuptim i rastësishëm, por një veprim i rëndë që cenon dinjitetin e viktimave dhe të gjithë shoqërisë. Prandaj, nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa pasoja.