Rama i prerë për Zvërnecin: Investimi nuk ndalet sa kohë jam unë këtu

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur nga mediat gjatë konferencës për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian António Costa, në lidhje me raportimet se Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur verifikime mbi titujt e pronësisë në zonën e Zvërnecit, ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik.

Rama u ndal gjatë përgjigjes së tij te roli i SPAK, të cilin e ndau, sipas tij, në dy aspekte: një pjesë pozitive dhe një pjesë problematike.

Sipas kryeministrit, aspekti pozitiv lidhet me faktin se SPAK po heton origjinën e pasurive në raste kur çështjet janë të debatuara në opinionin publik, pavarësisht nëse këto debate janë të drejta apo të padrejta.

Ai theksoi se çdo hetim mbi transparencën e pronësisë dhe burimeve financiare është i mirëseardhur, sidomos kur bëhet fjalë për investime të mëdha dhe projekte me ndikim publik.

“Pjesa pozitive është hetimi mbi origjinën e një pasurie, kur ky është një problem i ngritur me ose pa të drejtë dhe i shumëpërfolur. Aq më tepër kur nis një hetim për subjektin përkatës, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe e mbështes këtë hetim”, u shpreh Rama.

Ndërsa në anën tjetër, ai e cilësoi si problematike mënyrën se si, sipas tij, disa aktorë në publik interpretojnë apo shpërndajnë informacion, duke iu referuar personave që “vetëofrohen si zëdhënës” dhe që ndajnë me publikun “gjysmë të vërteta” që, sipas tij, krijojnë perceptime të shtrembëruara.

Rama shtoi gjithashtu se investitorët që zotërojnë aktualisht pronën në fjalë kanë reputacion të padiskutueshëm dhe se burimet e tyre financiare janë verifikuar nga autoritetet përkatëse kundër pastrimit të parave, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, të gjitha transaksionet janë kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe standardet financiare ndërkombëtare.

Rama shtoi se investitorët janë në të drejtën e tyre dhe se bllokimi i transaksioneve, sipas tij, është i pajustifikuar, ndërsa çështja e verifikimit të pronës i takon organit hetues.

“E konsideroj pozitive, sepse investimi vazhdon me pronarët e vet të rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone mund të marrin paratë”, u shpreh ai.

Kryeministri i bëri thirrje, siç tha, “zëdhënësve të vetëofruar” që të jenë të kujdesshëm me deklarimet publike, duke theksuar se “cenojnë Shqipërinë”.

“S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu”, deklaroi Rama, duke shtuar se është i hapur për diskutime në çdo rast ku ka pretendime, por se ato duhet të jenë të qarta dhe të bazuara në fakte. /Albanianpost.com

Read Previous

Situata në Zvërnec, Costa: Komisioni Evropian është në kontakt me autoritetet shqiptare

Read Next

Oda Ekonomike akreditohet për lëshim të certifikatave “Made in Kosova”