Rama i përgjigjet opozitës: Pse nuk më fajësojnë edhe për reshjet mbytëse në rajon

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi sot pas akuzave të opozitës lidhur me situatën e shkaktuar nga moti i keq në disa qarqe të vendit.

Kryeministri kujtoi se reshjet kanë shkaktuar përmbytje edhe në vende të tjera të rajonit si Itali, Greqi Mal të Zi dhe Kroaci, por andej opozita nuk fajëson qeverinë.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf. s’e kuptojnë që aleanca me shiun të çon në fitore”, u shpreh Rama, në një reagim në rrjete sociale.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh dje se “përmbytjet janë rezultat i politikave të dështuara urbanistike dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe sistemin e kanalizimeve, përgjegjësi që i atribuohen qeverisë dhe pushtetit lokal”.

Prej dy ditësh vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive shiu, që ka shkaktuar probleme në disa qarqe. Aktualisht qarqet më të prekura janë ai i Gjirokastrës, Lezhës dhe Durrësit. /ATSH/

Read Previous

Messi ëndërron të zotërojë një klub pasi të dalë në pension

Read Next

Rubio: SHBA synon ta blejë Groenlandën