Qytetarët në Kosovë fillojnë të paguajnë për qeset e plastikes, krijohen paqartësi rreth Udhëzimit Administrativ

Qytetarët në Kosovë kanë filluar të paguajnë për qeset e plastikes, por disa prej tyre kanë shumë paqartësi lidhur me Udhëzimin Administrativ për ndalimin e qeseve të plastikës, i cili ka hyrë në fuqi që nga data 29 shtator të këtij viti.

Disa qytetarët kanë dërguar fotografi në redaksinë e Telegrafit duke treguar se po paguajnë për qeset e plastikës, por që disa markete po vendosin logot e tyre, gjë kjo e cila bie në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Gjithashtu, ata thonë se nuk dinë se cilat qese janë pa pagesë, pasi Udhëzimi Administrativ parasheh se pagesa të bëhet për qeset që peshojnë nga 25 deri 50 mikron.

Konsumatorët po paguajnë nga 5 centë për qeset e plastikes.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, para disa ditësh kishte ftuar qytetarët që të reduktojnë përdorimin e qeseve të plastikes.

Në njoftimin e bërë për media, Aliu kishte shkruar se ndalohet vendosja e llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit në qese plastike.

“Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza me trashësi nga zero (0) deri në njëzetepesë (25) mikron. Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse të okso-degradueshme. Ndalohet vendosja e: llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit, në qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron”, ka pohuar ministri.

Ministri kishte deklaruar se ky është vetëm hapi i parë i një serie masash që do të ndërmarrin për reduktimin e qeseve të plastikës, përfshirë këtu kontrrollet që do të ushtrohen nga një sërë institucionesh në javët në vijim.

Udhëzimi Administrativ ka për qëllim nxitjen e riciklimit dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë e mjedisit në vend.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë sqarime shtesë rreth Udhëzimit Administrativ për qeset e plastikes. /Telegrafi/

Read Previous

Serwer: Vuçiq përdor Listën Serbe dhe shërbimet sekrete për të kontrolluar popullatën serbe në veri

Read Next

​Meidani për mossanksionimin e Serbisë: Nuk e njohin sa duhet orientimin e saj