Garda Revolucionare e Iranit pas sulmit amerikan: Nëse agresioni përsëritet, do të përgjigjemi
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar se protestat kundër qeverisë në Shqipëri do të vazhdojnë deri në arritjen e objektivit kryesor, që sipas tij është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe nisja e një procesi të ri politik në vend.
Qori ka thënë se qytetarët që po marrin pjesë në protesta janë të vendosur dhe të gatshëm të vazhdojnë mobilizimin e tyre.
“Besoj që protesta nuk do të ndalet kurrë deri në arritjen e qëllimit kryesor, dorëheqjen e Edi Ramës dhe çelja e një procesi të ri politik. Qytetarët në protestë nuk kanë qenë veç të shumtë, jo vetëm plot gjallëri, por edhe të vendosur”, ka thënë ai.
Sipas tij, pjesëmarrësit në protesta janë kryesisht qytetarë që punojnë çdo ditë për të mbajtur familjet e tyre, por që megjithatë gjejnë kohë për t’iu bashkuar protestave.
“Shumica dërrmuese e protestuesve janë njerëz që punojnë tetë apo dhjetë orë në ditë për të mbajtur familjet dhe prapë gjejnë forcë që për katër apo pesë orë të tjera të vijnë në protestë”, u shpreh Qori.
Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të majit 2025, ai ka thënë se fitorja e Partisë Socialiste ishte një “fitore e Pirros”, duke argumentuar se ajo mund t’i paraprijë një humbjeje politike në të ardhmen.
“Në zgjedhjet e majit 2026, kur gjithkush mendonte se pushteti i Edi Ramës do të ishte i përjetshëm, kam thënë se fitorja e Ramës ka qenë si e Pirros së Epirit. Një fitore taktike që i paraprin një humbjeje strategjike”, deklaroi ai.
Qori shtoi se shumë qytetarë kanë votuar nga frika, por sipas tij klima politike ka nisur të ndryshojë.
“Sot shqiptarët e kuptojnë se nuk ka më arsye për t’u shkurajuar. Kur shumësia mblidhet, askush nuk ka frikë. Kur dalin 100 mijë vetë në rrugë, numerikisht nuk del i gjithë populli, por simbolikisht po”, ka thënë kryetari i Lëvizjes Bashkë.
Në Kuvendin e Shqipërisë me 140 ulëse, Lëvizja Bashkë përfaqësohet me një deputet.
Sot është dita e 28-të e protestave që nisën si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec të Vlorës, por me kalimin e ditëve ato janë shndërruar në protesta me kërkesa politike, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. /Koha.net/