Pse Mali i Zi vendosi fusnotë për Kosovën ?

Ftesa për pjesëmarrjen në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në mesin e tetorit në Malin e Zi, i dërgua ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), dhe u përdor terminologjia e pranuar nga pjesëmarrësit.

Kështu thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale të Malit të Zi.

Më herët të enjten, Radio AntenaM nga Mali i Zi publikoi një faksimil që tregonte se si ministrja e Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi, Tamara Sërzentiq, ftonte ministren Rizvanolli që të merrte pjesë në Samitin Digjital, por në ftesë, emri i Kosovës ishte shënuar së bashku me fusnotë.

“I gjithë organizimi është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Kështu që ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, tha Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi.

Nga kjo ministri thanë se Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie kuptimplote dhe cilësore, bazuar në parimet e besimit reciprok, fqinjësisë së mirë dhe kanë një perspektivë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike.

“Ne jemi të bindur se në periudhën e ardhshme, ato (raportet Mali i Zi-Kosovë) do të përmirësohen edhe më tej në bazë të besimit dhe respektit reciprok”, thanë nga kjo ministri.

Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë.

Qeveria paraprake e Malit të Zi që udhëhiqej nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq, njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

Në të gjitha dokumentet e mëparshme të Qeverisë së Malit të Zi, Kosova trajtohej në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë, duke mos e përdorur fusnotën.

Më herët, edhe në një njoftim të qeverisë aktuale – që u zgjodh në dhjetorin e vitit të kaluar – që kishte të bënte me masat kundër pandemisë, emri i shtetit të Kosovës u shënua me fusnotë. Më pas qeveria tha se në këtë njoftim kishte pasur gabim teknik.

Po ashtu, në një manifestim të planifikuar, që më pas u anulua, me rastin e njëvjetorit të fitores në zgjedhjet në Mal të Zi, Qeveria e Malit të Zi, në vend të ambasadorit aktual, Ylber Hysa, e kishte ftuar ish-ambasadorin Sërxhan Sentiq.

Në përgjigje të ftesës, ambasada e Kosovës e kishte falënderuar kryeministrin e Malit të Zi, por e kishte njoftuar se Sentiq nuk ishte ambasador për më shumë se katër vjet dhe ofruan që t’u jepnin informacionet e tij nëse Qeveria e Malit të Zi dëshironte që ta ftonte atë në këtë manifestim.

Qeveria e Malit të Zi u zgjodh dhjetorin e vitit 2020. Shumica parlamentare përbëhet nga tri parti të koalicionit, ku partia më e madhe është Fronti Demokratik. Kjo parti ka bërë thirrje për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, më 2012 në Bruksel është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, ku kur përdoret emri i Kosovës vendoset edhe një fusnotë. Kjo fusnotë përdoret kryesisht nga shtetet që nuk e njohin Kosovën./Telegrafi

Read Previous

FSShK kërcënon Kurtin me padi, kërkon që shtesat për punëtorët shëndetësorë të jenë së paku 300 euro

Read Next

Raportohet se Ministrja Gërvalla është në gjendje të rëndë shëndetësore