Protesta masive në Londër përfundon me përplasje

Një protestë e madhe e organizuar nga aktivisti me pozita ekstremisht të djathta, Tommy Robinson, në Londër, ka përfunduar me dhunë, duke lënë të lënduar 26 policë, nga të cilët katër janë në gjendje më të rëndë, raportoi Metropolitan Police. 

Përveç plagosjeve, janë kryer rreth 25 arrestime për vepra të ndryshme si sulm ndaj policisë dhe prishje të qetësisë publike.

Protesta “Unite the Kingdom” mblodhi mes 110,000 dhe 150,000 pjesëmarrës, duke e bërë një nga tubimet më të mëdha nacionaliste në historinë e Britanisë së sotme që mbajnë karakter anti-emigracioni dhe kërkesa për liri të fjalës, raporton BBC.

Në mesin e folësve ishte edhe miliarderi Elon Musk, i cili përmes një mesazhi video foli për “migracion të pakontrolluar” dhe bëri thirrje për një “ndryshim qeverie” në Britani.

Një kundër-protestë u organizua nga rreth 5,000 veta nga lëvizja “Stand Up To Racism”. Policia përdori kordonë dhe barriera për të ndarë grupet dhe për të parandaluar dhunën, por disa përkrahës të Robinson-it tentuan të kalojnë drejt zonës së kundërshtareve, duke shkaktuar përplasje. 

Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, dënoi ashpër sulmet ndaj policisë dhe paralajmëroi se “çdokush që merr pjesë në aktivitete kriminale do të përballet me fuqinë e plotë të ligjit”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Napoli nuk gabon

Read Next

Rritet konsumi i energjisë elektrike