Propozimi i Arsene Wenger që do ta ndryshojë futbollin përgjithmonë

Trajneri legjendar i futbollit dhe drejtori i zhvillimit të futbollit të FIFA-s, Arsene Wenger, së fundmi propozoi një ndryshim në rregullin jashtë loje dhe Marca konfirmoi sot se është miratuar për të vazhduar testimin e tij.

Wenger sugjeroi që futbolli duhet të fillojë të favorizojë sulmuesit në vend të mbrojtësve, siç është tani, dhe se rregulli jashtë loje duhet të ndryshohet plotësisht.

Sipas propozimit të Wengerit, një futbollist do të ishte në pozicion jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij është përballë lojtarit të fundit të mbrojtjes së ekipit kundërshtar në momentin kur i dërgohet pasimi.

Më poshtë mund të shihni një ilustrim të idesë së Wengerit, ku në foton e mësipërme ka një situatë në të cilën futbollisti nuk do të ishte në pozicion jashtë loje, ndërsa në rastin e fotos më poshtë do të sinjalizohej jashtë loje.

Pra, nuk do të sinjalizohej jashtë loje nëse vetëm një pjesë e trupit të sulmuesit është në vijë me mbrojtësin kur pasimi i drejtohet atij, pavarësisht se pjesa tjetër e trupit është më afër portierit.

“Ligji i Wengerit” filloi të testohet muajt e fundit në turne për futbollistët e rinj në Suedi dhe Itali dhe Bordi Ndërkombëtar i Federatës së Futbollit (IFAB) miratoi vazhdimin e testeve të tij, ndaj është e sigurt që FIFA, e cila duhet të miratojë ndryshimi, do të vihet në provë.

Nëse propozimi i Wengerit do të pranohej, nuk ka dyshim se do të ndryshonte plotësisht futbollin dhe lojtarët do të duhej të kalonin një proces të vështirë përshtatjeje, në radhë të parë në atë mbrojtës, sepse lëvizja e tyre gjatë lojës do të merrte një dimension krejt tjetër.

Deri më tani, është e qartë se nuk do të ketë ndryshime në rregullat e futbollit deri në shkurtin e ardhshëm, kur IFAB do të mblidhet sërish dhe do të shqyrtojë të gjitha testet e kryera. Më pas do të flasin edhe për kartonin blu, rregullin e Wengerit dhe shumë propozime të tjera që arrijnë në adresën e kësaj organizate. /Telegrafi/

Read Previous

Nis takimi Hovenier – Bislimi

Read Next

Trump: Kërcënimet e mia ndaj anëtarëve të tjerë të NATO-s janë një mënyrë për të negociuar