Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për katër zyrtarët në Gjakovë

Pas arrestimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Komunës së Gjakovës, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tyre, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Personat për të cilët kërkohet paraburgimi janë:

  • Arben Bakalli, Drejtor i Urbanizmit
  • Elida Bejtullahu, udhëheqëse e sektorit urbanistik
  • Afërdita Lama, ish-Drejtoreshë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë
  • Arianit Kupa, jurist në komunë

Sipas njoftimit, gjatë vitit 2018 i pandehuri A.B., në cilësinë e personit zyrtar Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjakovë, si dhe e pandehura E. B., në cilësinë e personit zyrtar Udhëheqëse e Sektorit Urbanistik në këtë drejtori, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare e me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellin dobi pasurore, kanë lëshuar dhe nënshkruar pëlqimin në interes të palës A.L., për parcelimin e pjesshëm fizik të disa parcelave në pronësi shoqërore në rrugë publike dhe në pronësi të K. të B. I. në e Gjakovë (V.)  

Të njëjtit kanë lëshuar dhe nënshkruar pëlqimin në interes të palëve M.Ll., dhe Sh.B., për parcelimin e pjesshëm fizik të parcelave në pronësi të K. të B. I., në e Gjakovë edhe pse të pandehurit kanë qenë në dijeni lidhur me pronarin juridik të kësaj palujtshmerie. Nga ky veprim palët M.Ll., dhe Sh.B., i kanë bartur pronat në pronësi të tyre në sipërfaqe prej 599 m2 dhe objektin me sipërfaqe prej 115 m2, me ç’rast me veprimet e tyre kanë cenuar dhe dëmtuar pasurin e K. të B. I. në Gjakovë. 

Poashtu ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2019 e pandehura A.L., ne cilësinë e personit zyrtar Drejtoreshë në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri A.K., në cilësinë e juristit, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare kanë nxjerrë dhe nënshkruar vendimin për aprovimin e regjistrimit të parcelave të reja kadastrale të formuara pas matjes duke dëmtuar persona të tjerë.

Të njëjtit kanë aprovuar regjistrimin e pronësisë te palët e treta Sh.B., dhe M.Ll., ashtu që parcelën në sipërfaqe prej 599 m2 dhe objektin në sipërfaqe prej 115 m2 pronë e K. të B. I. në e Gjakovë, fillimisht e kanë bartur në emër dhe pronësi të M. L., e më pas në emër të Sh.B., dhe familjarëve të tij në 1/4, me ç’rast me veprimet e tyre kanë cenuar dhe dëmtuar pasurin e K. të B. I., në e Gjakovë. /tvsyrivision/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

“Magic Village” këndi i lojërave që ofron argëtim pa fund për fëmijët

Read Next

Kushtetuesja ua ndalon deputetëve vendimet pas kalimit të afatit 30-ditor