Projekti në Zvërnec, Balla: Ata që dalin kundër nuk i shërbejnë interesit të vendit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbrojtur projektin e planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se investimi do të realizohet dhe se kundërshtimi ndaj tij nuk i shërben interesit të vendit.

Gjatë debatit në Kuvend, Balla tha se Shqipëria nuk e ka as luksin dhe as mundësinë të humbasë një investim të tillë, të cilin e cilësoi historik për zhvillimin e turizmit.

“Ata që dalin kundër nuk i shërbejnë interesit të vendit”, deklaroi Balla.

Sipas tij, projekti në Zvërnec do ta ndihmojë Shqipërinë të ngjitet në një nivel më të lartë të industrisë turistike.

“Ky investim do të realizohet sepse Shqipëria nuk e ka as luksin dhe as shansin të humbasë këtë investim. Është një investim historik që do ta vendosë Shqipërinë aty ku na takon, në ligën e kampioneve të vendeve të turizmit të zhvilluar”, u shpreh ai.

Balla u bëri thirrje kundërshtarëve të projektit që të mbajnë një qëndrim të qartë publik.

“Dilni këtu dhe thoni, jeni pro apo kundër këtij investimi”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit socialist komentoi edhe deklaratat e opozitës për organizimin e një anti-mitingu në Vlorë, duke sqaruar se aktiviteti i planifikuar nga socialistët lidhet me 35-vjetorin e Partisë Socialiste.

“Ne kemi një ditëlindje. Populli i Vlorës është kryeqyteti i Partisë Socialiste”, deklaroi Balla, duke shtuar se PS do të vazhdojë të fitojë përballë kundërshtarëve politikë edhe në zgjedhjet e ardhshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Trump reagon ashpër pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për kufizimin e fuqive të tij ushtarake

Read Next

Numri i milionerëve në Gjermani rritet në 1.78 milionë