Posta e Kosovës merr në pronësi objektin në Graçanicë që shfrytëzohej nga Posta e Serbisë

Posta e Kosovës ka marrë në kontroll objektin në Graçanicë që deri në janar të vitit 2025 përdorej nga Posta e Serbisë. Ky veprim është pjesë e aksionit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e institucioneve paralele dhe ilegale serbe në jug të lumit Ibër.

Institucionet e Kosovës ende nuk janë deklaruar për aksionin e zhvilluar gjatë ditës në Graçanicë, disa kilometra larg Prishtinës, por sipas informacioneve, ky objekt ka qenë pronë e ndërmarrjes Posta, Telegrafia dhe Telefonia (PTT), që në muajt e fundit janë përfunduar procedurat kadastrale për kalimin e saj në pronësi të Postës së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, përfshirë institucionet financiare serbe që kanë vepruar ilegalisht nën sistemin serb, krahas largimit të dinarit.

Ndryshe, në fillim të gushtit, gjithashtu, autoritetet e Kosovës i mbyllën disa degë të Postës së Serbisë në veri të territorit kosovar, të cilat vepronin ilegalisht në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. /Albanianpost.com

Read Previous

GAP publikon “Letërnjoftimin e Komunave 2025”, ka dyfishim të shpenzimeve për përmbarim

Read Next

Deputeti i LVV-së: Kushtetuesja nuk bën në asnjë formë të devijoj vullnetin politik të votimit në Kuvend