Policia spanjolle gjen pikturën e humbur të Picasso-s “Natyrë e qetë me kitarë”

Një pikturë e Pablo Picasso-s që ishte raportuar e humbur më herët këtë muaj është gjetur nga policia spanjolle, duke i dhënë fund një misteri që kishte vënë në hall hetuesit për javë të tëra.

Vepra “Natyrë e qetë me kitarë ”, një gouache e vogël e vitit 1919 me vlerë rreth 600,000 euro, ishte zhdukur nga një depo në Madrid, nga ku duhej të transportohej drejt Granadës për një ekspozitë në Centro Cultural CajaGranada, transmeton KultPlus.

Piktura ishte pjesë e një grupi prej 56 veprash arti që u dërguan nga kryeqyteti më 25 shtator. Sipas policisë, transporti ishte i regjistruar nga kamerat e sigurisë, por për shkak të mungesës së numërimit të saktë të paketave, kontrolli i plotë i përmbajtjes nuk u krye deri në prag të hapjes së ekspozitës më 6 tetor kur edhe u zbulua mungesa e veprës. Denoncimi zyrtar u bë katër ditë më vonë, më 10 tetor.

Hetimet u përqendruan fillimisht në mundësinë e një vjedhjeje gjatë transportit, ndërsa piktura u përfshi në bazën ndërkombëtare të të dhënave të Interpol-it për veprat e vjedhura ose të humbura. Por pas disa javësh pa rezultat, policia e riktheu vëmendjen në deponë e Madridit, raporton Euronews

Pas një inspektimi forenzik, hetuesit gjetën pikturën origjinale në vendin e magazinimit, duke konfirmuar se ajo nuk kishte dalë kurrë nga depoja. Sipas hipotezës kryesore të policisë, “Natyrë e qetë me kitarë” nuk ishte ngarkuar fare në kamionin e transportit, për shkak të një gabimi në procesin e paketimit.

Ky rast vjen në një moment kur vjedhjet në tregun e artit janë bërë një temë e nxehtë, veçanërisht pas grabitjes së bujshme të ndodhur në Muzeun e Luvrit, që ka tronditur botën e artit evropian./KultPlus.com

Read Previous

India provon reshjet artificiale për të pastruar ajrin në Delhi, qytetin më të ndotur në botë

Read Next

Numër i lartë i grave që kryejnë mamografinë në Gjakovë