Policia sërish me bastisje të reja në veri për rastin e sulmit terrorist në Banjskë


Policia e Kosovës sërish ka nisur një aksion në veri të Kosovës, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe u plagos Alban Rashiti.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

Sipas tij, bastisjet kanë filluar dhe deri më tash nuk është arrestuar asnjë person.

“Po e konfirmojmë që kemi sërish bastisje të reja për rastin në Banjskë, në veri të Kosovës. Deri më tash s’ka asnjë të arrestuar”, ka Elshani.

Ndërkaq, siç merr vesh Telegrafi bastisja është duke ndodhur në veri të Mitrovicës në afërsi tek “Tre rrokaqiejt”.

Ndryshe, më 24 shtator, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në kundërpërgjigje të sulmit terrorist, Policia vrau tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili pas sulmit dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, parti kjo e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. /Telegrafi/

Read Previous

Konflikti në Lindjen e Mesme prek tregun e karburanteve

Read Next

ASK: Bie numri i përfituesve nga skema e ndihmës sociale