Policia konfirmon shpërthimin me granatë dore, gjashtë vetura u dëmtuan

Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen e njohur si të Universitetit në Prishtinë, ku gjashtë vetura janë dëmtuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci konfirmoi për Telegrafin rastin derisa tha se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 07:00.

“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, theksoi ai.

Borovci shtoi tutje se përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.

“Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, u shpreh ai.

Lidhur me rastin, u deklarua edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“E nderuar, prokurori kujdestar është njoftuar për këtë rast. Me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime, derisa në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qellim te sqarimit te rrethanave të këtij rasti dhe identifikimit të dyshuarit/ve”, tha Ulaj për Telegrafin.

Më poshtë pamjet nga vendi i ngjarjes:

/Telegrafi/

Read Previous

Kryhet operacioni i parë i trakesë në Shqipëri, flet kirurgu

Read Next

Gasperini pas fitores ndaj Liverpoolit: Fituam në një stadium historik