Policia arreston dy persona për vjedhje

Pas një hetimi intensiv hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor “Jugu” në Mitrovicë, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar për tri raste të veprës penale ‘vjedhje’.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës, arrestimi i dy personave të dyshuar, është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara se në bashkëveprim në tri lokacione të ndryshme kanë kryer vepra penale të vjedhjeve, që ishte raportuar ditë më parë, ku cak i këtyre vjedhjeve ishin dyqane dhe qendra tregtare, nga ku ishin vjedhur: pije alkoolike, rroba të ndryshme dhe shtëpiza kompjuteri me pajisje përcjellëse.

Si rezultat i identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve, hetuesit policorë kanë lokalizuar vendet ku ishin fshehur gjësendet e vjedhura të cilat janë gjetur dhe janë marrë si prova materiale për t’u proceduar tutje lidhur me rastet.

Ndërsa pas procedurave të nevojshme intervistuese, nga ana e prokurorit të rastit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt./KosovaPress.

Read Previous

​Messi kthehet për ndeshjen me Rayo Vallecanon

Read Next

​KEDS: Faturat e energjisë elektrike deri në maj do t’ju vijnë më lirë