“Po tregoheni të butë me Vuçiqin”, Hill: Këto janë perceptime, ka që thonë se jemi të butë ndaj Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë të organizuar nga Këshilli Atlantik u pyet për perceptimin se Amerika po tregohet shumë e butë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Gazetarja tha se ekziston perceptimi se SHBA-ja po e trajton butë Vuçiqin në përpjekje për ta mbajtur afër vetës dhe në vijë me politikën e jashtme perëndimore edhe për sanksionet kundër Rusisë.

“Ju e dini, njerëzit mund t’i kenë perceptimet e tyre. Perceptimet e tyre se ne po tregohemi shumë të butë ndaj Kryeministrit Kurti… ka shumë perceptime të tilla duke përfshirë edhe në vende si Prishtina”, tha Hill.

“Ne në vend që të mbështetemi në perceptime, le të mbështetemi në atë që është politika në të vërtetë, dhe politika është të përpiqemi ta ndihmojmë Serbinë të lëvizë drejt Perëndimit për ta ndihmuar atë me qëllimin e vet të vetëdeklaruar”, tha ambasadori amerikan.

Këtë, Hill tha se duhet bërë “për t’u siguruar që ajo [Serbia] të jetë në përputhje me rregullat dhe rregulloret evropiane”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

​Kurti dhe Nagavci bëjnë thirrje të ndërpritet greva dhe të fillojë mësimi

Read Next

25 raste të reja me COVID-19 në Kosovë