Pesë gola në dy ndeshjet e para të Botërorit, Messi: Mund të kisha shënuar edhe më shumë
Michel Platini foli në konferencën për shtyp përpara turneut të golfit të organizuar nga “Fondacioni Vialli dhe Mauro”.
Për Botërorin: “Kam parë shumë pak ndeshje. Më pëlqeu prezantimi me të 26 futbollistët, sepse i jep prestigj turneut. Tani jemi vetëm në fillim, ndërsa ajo që ka rëndësi është të fitosh ndeshjen e fundit. Për mua, Franca është favoritja dhe, nëse luan në 100% të potencialit të saj, do ta fitojë Botërorin.
Për formulën e Botërorit: “Është shumë e ndërlikuar të vendosësh, sepse edhe unë doja të bëja diçka për numrin e skuadrave në Kupën e Botës. Tani nuk mund të luajnë 17 ekipe evropiane dhe vetëm 4 afrikane. Problemi është sa skuadra duhet të përfshihen. Është pak e komplikuar, por ishte normale që Botërori të hapej më shumë për gjithë botën”.
Nga duhet t’ia rinisë Juventusi: “Mendoj se duhet të rinisë Italia nga zero dhe jo Juventusi. Nuk është e mundur që Italia të mungojë në tre Botërorë radhazi. Italia duhet të reformohet, ashtu siç bëri Franca në vitet ’50. Kur Italia të ringrihet, edhe Juventusi do të rikthehet i madh. Të mos harrojmë se Italia ka pasur gjithmonë sukses kur baza e kombëtares ishte Juventusi”.
Lojtarë me përvojë apo të rinj te Juventusi: “Strategjia është të fitosh ndeshjet. Si arrihet kjo, nuk e di, sepse nuk jam pjesë e klubit. E rëndësishme është të fitosh. Nëse Juventusi do ta kishte mundur Fiorentinën, gjithçka do të ishte ndryshe”.
Çfarë ndien kur mendon për Juventusin: “Mendoj për tri gjëra: për të gjithë tifozët që më duan dhe që tani janë të zhgënjyer, për familjen ‘Agnelli’ dhe për momentet e mëdha që kam përjetuar me shokët e skuadrës. Një rikthim? Jo, kësaj pyetjeje i jam përgjigjur që vitin e kaluar”.
Për fjalët e Aldo Serena: “E kam thënë gjithmonë se ai nuk kuptonte asgjë (qesh). E falënderoj, por unë thjesht jam argëtuar duke luajtur futboll. Kam qenë ndryshe nga fëmijët italianë që mendonin vetëm për mbrojtjen dhe ‘catenaccio’-n”
Për krahasimin me Maradonën: “Ai bëri dy sporte; futboll dhe basketboll (qesh). Diego ishte një personazh më i madh se unë, prandaj ishte më shumë në faqet e gazetave. E di që Diego ishte një djalë i mrekullueshëm dhe të gjithë e donin. Fjala e parë që mësova në Itali ishte ‘sfidë’, për shkak të rivalitetit me Zico-n dhe Diegon. Ishte një periudhë e mrekullueshme për Italinë, sepse kampionët më të mëdhenj luanin në Serie A”.
Si riniset nga zero në Itali: “Do të thotë të bësh një analizë të futbollit dhe të gjesh zgjidhje për të nxjerrë lojtarë të mirë. Janë marrë vendime politike dhe jo futbollistike. Ne në Francë e kemi bërë këtë shumë herë”.
Del Piero, a duhet të rikthehet te Juventusi: “Nuk e di, sepse varet nga John Elkann. Për më tepër, unë nuk e njoh personalisht Alessandron dhe nuk mund të them më shumë”.
Për Yildiz: “Ka cilësi dhe potencial, ashtu si Olise dhe Yamal. Janë numrat klasikë 10, që sot luajnë në krah”.
A mund të rikthehet vetë në futboll: “Kam disa projekte, por si këshilltar. Nuk kam dëshirë të punoj në klube apo në FIFA. Po të isha 50 vjeç, ndoshta po”.
Çfarë nuk funksionoi me Comolli: “Unë nuk e njoh situatën e Juventusit nga brenda, ndaj mund të flas vetëm në përgjithësi. Humbi një ndeshje me Fiorentinën dhe, po ta kishte fituar, do të kualifikohej në Champions League, duke ndryshuar gjithçka. Ka cikle dhe Juventusi nuk mund të fitojë gjithmonë. Duhet t’u lëmë edhe të tjerëve diçka, por jo shumë”.
Skuadra e tij te Juventusi: “Ishte një grup fantastik. Për mua nuk ishte e lehtë, sepse zëvendësoja Brady-n, i cili kishte fituar dy tituj kampioni dhe ishte shumë i dashur. Ata më bënë të ndihesha gjithmonë mirë. Pastaj, kur shënon gola, të gjithë të duan”.
Për vështirësitë e David: “Është më e lehtë të jesh mesfushor, sepse prek shumë topa. Për sulmuesin gjithçka varet nga skuadra. Kur erdha te Juventusi luaja në ekipin e Trapattonit. Kur shënoja, më duhej të vrapoja 80 metra, ndërsa sot Messi luan vetëm në 20 metrat e fundit. Për këtë arsye u tërhoqa në moshën 32-vjeçare, Trapattoni ma harxhoi gjithë ‘karburantin’ (qesh)”.
Për refuzimin e Elkann ndaj ofertës së Tether: “Unë jam në krah të familjes ‘Agnelli’. Askush nuk duhet ta prekë Juventusin sa të jem gjallë. Vështirësitë përballë klubeve të mëdha europiane? Pikërisht për këtë krijova ‘Fair Play Financiar’, duhet të jetosh me ato që ke. Për mua, Juventusi është familja Agnelli”.
Për shumëpronësinë e klubeve: “Nuk jam shumë dakord me këtë fenomen. Në Francë janë të zemëruar, sepse Strasburgu është në pronësi të Chelsea. Ligji më i keq, sipas meje, ishte ai Bosman, sepse e bëri futbollin një sport vetëm për më të pasurit”.
Për Botërorin e vitit 1986: “Është një peng, sepse Franca ishte skuadra më e fortë”.
Mes futbollit të bukur dhe rezultateve: “Më mirë të luash futboll të bukur. Në kohën time ishim më shumë të orientuar drejt rezultatit, por jo unë”.
Një mendim për Vialli: “Nuk e kam njohur shumë mirë, por ai pati një karrierë të jashtëzakonshme. Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me Massimon dhe jam këtu për të. Gjatë sëmundjes së tij tregoi një forcë të jashtëzakonshme dhe e kujtoj gjithmonë. Përgëzoj gjithë organizatorët dhe Massimon që vazhdojnë ta mbajnë gjallë kujtimin e Gianluca”.
Për Ronaldon: “Ai e ka fatin e tij në kokën e vet. Ka një fizik ndryshe nga imi. Nëse e aktivizojnë, duhet të vazhdojë të luajë”.
Për deklaratat e Mbappé: “Lojtarët mund të flasin për çdo gjë, por kur veshin fanellën e kombëtares nuk duhet të flasin për politikë, sepse përfaqësojnë të gjithë francezët. Për politikën mund të flasë kur vesh fanellën e Real Madridit”. /Telesport.al/