Përurohet ura tibetiane në Gjakovë, më e gjata e këtij lloji në Ballkan

Është 63 metra e gjatë dhe  25 metra e lartë. Kjo është ura tibetiane e ndërtuar vetëm pak metra larg urës së Fshejtë në komunën e Gjakovës.

Në ceremoninë e inaugurimit të pranishëm ishin kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi si dhe zyrtarë të bashkimit evropian. Me këtë rast u tha se ky projekt e begaton pakon e integruar të turizmit aventurier dhe e rrit potencialin turistik në komunën e Gjakovës dhe jo vetëm. Kjo urë është më e gjata e këtij lloji në Ballkan dhe vlera e përgjithshme e projektit është 444 e 684 euro që është financuar nga BE dhe komuna e Gjakovës si dhe është implementuar nga fondi i zhvillimit të komunitetit nga Kosova dhe ai nga Shqipëria.

Ndërtimi i kësaj ure ka filluar në muajin korrik të këtij viti në kuadër të planit të punës dhe projekteve nga drejtoria e zhvillimit ekonomik që në atë kohë udhëhiqej nga drejtori Ferdinand Kolaj. Përndryshe Ura Tibetiane konsiderohet urë primitive dhe më së shumti ndërtohet mbi lumenj e gryka. Mirëpo kjo në Gjakovë nuk është ndërtuar nga litarët dhe dërrasat, por nga metali i çeliktë. Lumi i Drinit, shkëmbinjtë e thepisur përreth dhe natyra e bukur e ajri i freskët janë disa nga atraksionet që ofron ecja mbi këtë urë.

Read Previous

​Kosova në epërsi kundër Gjeorgjisë

Read Next

130 vite nga lindja e poetit lirik dhe esperantistit të parë shqiptar, Lazër Shantoja