Perspektiva për Europën në zhvillim në vitin 2023

Europa në zhvillim është shumë e varur nga kërkesa e Europës Perëndimore dhe rritja ka të ngjarë të ngecë ose të jetë negative në vitin 2023

Në fund të vitit 2019, ekonomitë e Europës në zhvillim po lulëzonin.

Stabiliteti makroekonomik ishte arritur. Inflacioni ishte i ulët, kurset e këmbimit ishin mjaft të qëndrueshme, deficitet buxhetore ishin të vogla dhe borxhi publik ishte i moderuar në shumicën e vendeve, ndërkohë që ritmet e rritjes ekonomike ishin të kënaqshme.

Por në dy vitet e fundit, ky rajon është goditur nga tre ndodhi të jashtme: pandemia Covid-19, lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kriza energjetike. Pas shumë vitesh rritjeje të mirëqenies ekonomike, politika ekonomike ishte bërë dytësore. Europa në zhvillim ndiqte kryesisht politikat e BE-së. PBB-ja ra ndjeshëm në vitin 2020 dhe u rrit shumë në vitin 2021, ndërsa rritja në vitin 2022 pritet të jetë pozitive, por më pak mbresëlënëse, shkruan Emerging Europe.

Një surprizë e madhe ekonomike në vitin 2022, në të gjithë botën perëndimore, ka qenë rritja e inflacionit. Në Europën Lindore, kjo rritje nisi më herët dhe ka qenë më e madhe, sepse energjia dhe ushqimi (çmimet e të cilave rriten më shpejt, përbëjnë një pjesë më të madhe të shportës së konsumit se sa në Perëndim. Rusia dhe Ukraina kanë marrë vëmendje kryesore, për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Vendet që nuk janë pjesë e Eurozonës, janë goditur nga një zhvlerësim i madh i monedhës, e cila ka përkeqësuar edhe më shumë inflacionin.

Të gjitha shtetet, përveç Turqisë, janë përgjigjur me një rritje të hershme të normave të interesit. Ekonomia relativisht e dobët hungareze, është detyruar të zbatojë një nga rritjet më të shpejta të normës së interesit, në mënyrë që të pengojë zhvlerësimin e tepërt të monedhës së saj.

Për shkak të luftës, si Rusia, edhe Ukraina, kanë zgjedhur rritje të mëdha të normave të interesit, deri në 25%. Turqia është një rast i veçantë, me një nivel inflacioni mbi 80%, por ka ulur vazhdimisht normën e interesit në 12%. Kjo nuk mund të ketë përfundim të mirë.

Varësia nga tregjet e Europës Perëndimore

Si gjithmonë, Europa në zhvillim është shumë e varur nga tregu i madh europian perëndimor. Tre faktorë ka të ngjarë të jenë vendimtarë në vitin 2023, përkatësisht inflacioni i Europës Perëndimore, rritja ekonomike dhe çmimet e energjisë.

Politika aktuale ekonomike përqendrohet në inflacion, i cili është rritur shumë më tepër nga sa pritej dhe duket se do të rritet më tej.

Sipas pjesës më të madhe të parashikimeve, ai pritet të arrijë kulmin në Europë me nivele dyshifrore, në gjysmën e parë të vitit 2023 dhe më pas të ulet ndjeshëm në nivelet tradicionale njëshifrore, deri në fund të vitit. Mjeti për të thyer këtë inflacion të lartë, është politika monetare më e rreptë, kryesisht normat më të larta të interesit.

Ulja e inflacionit, vështirë se mund të ndodhë pa një recesion. Rritja e mprehtë e normave të interesit do të ulte rrënjësisht kërkesën dhe parashikimet optimiste janë minimale për rritjen ekonomike në vitin 2023.

Europa në zhvillim është shumë e varur nga kërkesa e Europës Perëndimore dhe rritja e kësaj të fundit, ka të ngjarë të ngecë në vend ose të jetë negative në vitin 2023, dhe më pas ka të ngjarë që rajoni t’i rikthehet rritjes së shpejtë, siç ka ndodhur pas krizave të mëparshme financiare.

Energjia

Ndërsa inflacioni dhe rritja ekonomike duken relativisht të parashikueshme, energjia nuk është aspak e tillë, si në lidhje me ofertën, edhe me çmimin. Shumë vende në rajon janë të varura nga furnizimi me gaz rus, i cili ka të ngjarë të ndërpritet.

Çmimet e gazit dhe energjisë elektrike, janë rritur në nivele të jashtëzakonshme. Disa prodhime që kërkojnë nivele intensive të gazit, si plehrat kimike, tashmë janë reduktuar dhe mund të bëhen shkurtime të mëtejshme, të cilat natyrisht do të çojnë në ulje të prodhimit.

Nga ana tjetër, kulmet e mëparshme të çmimeve të energjisë, si në vitin 1973 dhe 1979, shkaktuan rënie aq të mprehtë të prodhimit, sa që çmimet e energjisë u ulën dhe bashkë me to, edhe inflacioni. Kjo mund të ndodhë sërish, por është e vështirë të përcaktohet.

Zhvlerësimi i monedhës

Monedhat e luhatshme në rajon janë vënë nën stres serioz me zhvlerësime të mëdha. Dukuria ka qenë më e theksuar në Hungari, Poloni dhe Rumani.

Bankat qendrore në këto vende janë përgjigjur me rritje të hershme dhe të mëdha të normave të interesit, por normat e larta reale të interesit do të dëmtojnë më tej rritjen ekonomike. Këto ekonomi do të vuajnë nga rritja e kostove të kredive, edhe nëse do të përfitojnë nga çmimet e ulëta të eksportit.

Institucionet financiare, veçanërisht bankat, ka të ngjarë të vuajnë më shumë nga çrregullimet e monedhës. Një reagim i natyrshëm do të ishin thirrjet për të përdorur euron, veçanërisht në Hungari, ekonomia më e dobët e kësaj kategorie, por deri tani, nuk ka pasur kërkesa të tilla.

E gjithë Europa po përballet me një krizë të rëndë inflacioni dhe energjie, e cila do të rezultojë në norma shumë më të larta interesi dhe rritje ekonomike minimale.

Dy vende duket se janë veçanërisht të goditura, Turqia dhe Hungaria. Turqia është në një krizë të rëndë inflacioni, që kërkon një politikë krejtësisht të re makroekonomike. Hungarisë mund t’i mjaftojnë disa shtrëngime të politikës fiskale dhe monetare.

Dihet se kombinimi i inflacionit të lartë dhe rritjes ekonomike minimale, do të çojë në pakënaqësi të mëdha politike, duke e bërë të pasigurt fatin e qeverive në detyrë./Monitor.al

Read Previous

Shqipëria do të jetë pjesë e paketës së radhës ushtarake të NATO-s për Ukrainën

Read Next

Kroacia, euro dhe një polemikë kafeje – si ka ndikuar në jetën kroate kalimi në eurozonë