Përse u shkarkua Christian Horner nga Red Bull?

Largimi tronditës i Christian Horner-it nga Red Bull-i e zuri botën e Formula 1 në befasi, aq më tepër për shkak të kohës sa për çdo gjë tjetër, por me sa duket i jep fund një beteje për pushtet që kishte filluar të ziente pas skenave.

Largimi i Horner-it nga ekipi që ai e ka drejtuar për 20 vjet u njoftua të mërkurën, me Red Bull-in që konfirmoi se e kishin liruar nga kontrata me efekt të menjëhershëm.

Pozicioni i Horner-it në krye të ekipit, i cili i fitonte atij 12 milionë paundë në vit, nuk është dukur kurrë i përcaktuar që nga skandali shpërthyes i mesazheve që doli në pah sezonin e kaluar lidhur me mesazhet që ai dyshohet se ia dërgoi një punonjëseje.

Pamjet e ekranit të mesazheve të dyshuara në WhatsApp midis Horner-it dhe një punonjëses së Red Bull-it u publikuan në mënyrë anonime një ditë pasi një hetim tre-javor, i cili e liroi 51-vjeçarin nga të gjitha akuzat.

Një avokat i pavarur e intervistoi Horner-in për gati nëntë orë, thuhet më tej. Dosja që dyshohet se përmbante tekste dhe imazhe iu dha pothuajse 200 personave të përfshirë në sport, përfshirë pronarët e “Liberty Media”, drejtuesit e ekipeve dhe mediave.

Horner u lirua nga akuzat për herë të dytë pasi punonjësja apeloi kundër gjetjeve të hetimit. 51-vjeçari ka vazhduar t’i mohojë me forcë akuzat.

Megjithatë, ndonëse treguesit janë se Red Bull-i është ndarë nga Horner-i për arsye sportive, shkarkimi i tij nga posti i shefit të ekipit vjen pas një “lufte të konsiderueshme për pushtet”, sipas portalit holandez “De Telegraaf”.

Max Verstappen është padyshim perla në kurorën e Red Bull-it, por babai i tij, Jos, ka qenë një nga zërat më të zëshëm kundër Horner-it dhe ka qenë një figurë me ndikim të madh në karrierën e katër herë kampionit të botës.

Vitin e kaluar, ai pati një grindje të ashpër me Horner-in dhe pretendoi se ekipi do të “shpërthente” nëse ai do të mbetej në detyrë pas akuzave për “sjellje shtrënguese”.

Ai bëri komentet nxitëse ndërsa fundjava më toksike në historinë e Formula 1 përfundoi me Max-in që mori një fitore dërrmuese në Çmimin e Madh të Bahreinit, i cili hapi sezonin.

“Ka tension këtu ndërsa ai mbetet në pozicion”, tha Jos për “Mail Sport” asokohe. “Ekipi është në rrezik të përçahet. Nuk mund të vazhdojë kështu siç është. Do të shpërthejë. Ai po luan rolin e viktimës, kur është ai që shkakton problemet”.

Më vonë në qershor të vitit 2024, Jos pretendoi se Horner-i e pengoi të merrte pjesë në paradën e legjendave përpara Çmimit të Madh të Austrisë, një sugjerim i cili u mohua.

Jos kuptohet se e ka refuzuar shtrëngimin e dorës së Horner-it kur u takuan në zonën e mikpritjes së ekipit.

Pastaj, në gusht, me përpjekjen e Verstappen-it për një titull të katërt radhazi që dukej nën kërcënim nga Lando Norris dhe McLaren, Jos pati një tjetër goditje ndaj Horner-it, i cili ishte gjithnjë e më shumë nën presion.

Ai i tha gazetës gjermane “Bild”: “Nga brenda, duhet të mbash një pasqyrë para vetes dhe të mos i anashkalosh gjithmonë gjërat. Është koha, nëse nuk është tepër vonë, të pyesim veten”.

“Njerëzit e mirë po largohen nga ekipi. Jam shumë i pakënaqur me atë që po ndodh. Max nuk do të jetë i kënaqur me një makinë të tillë. Tani i takon Horner-it ta rikthejë ekipin në rrugën e duhur”, theksoi ai.

Kur u pyet nëse i beson Horner-it për të ndryshuar gjërat te Red Bull-i, Jos tha: “Do të habitem, por për momentin po them jo. Duhet të ndodhin shumë gjëra. E gjithë fryma duhet të ndryshojë”.

Max – Jos Verstappen

Jos nuk mendohet aspak të jetë figura e vetme që kundërshtonte vazhdimin e drejtimit të Horner-it, me “De Telegraaf” që raporton se ka pasur dallime në mendime rreth 51-vjeçarit midis degëve tajlandeze dhe austriake të ekipit.

Pronari tajlandez Chalerm Voodivhya, i cili zotëron 51% të aksioneve të Red Bull-it, besohet se ka qenë fort përkrahës i kampit të Horner-it dhe madje ka pozuar për foto me të në Çmimin e Madh të Austrisë në fillim të kësaj vere.

Megjithatë, pas performancës së dobët të ekipit në garën e tyre në shtëpi, me Verstappen që nuk e përfundoi garën dhe Yuki Tsunoda të fundit në vendin e 16-të, dhe mungesës së podiumit në Silverstone, mendohet se janë zhvilluar bisedime urgjente midis Voodivhya, Mark Mateschitz (bashkëpronar) dhe drejtorit sportiv Oliver Mintzlaff.

Mateschitz, djali i themeluesit të Red Bull-it, Dietrich, i cili ishte një mbështetës i madh i Horner-it, tashmë e kishte zbehur admirimin e tij.

Gjithashtu thuhet se Minztlaff ishte i prirur të centralizonte pushtetin në Austri, së bashku me markat e tjera sportive të kompanisë. Ky mendim thuhet se mbështetet nga një burrë që mendohet të jetë kundërshtari më i madh i Horner, Dr. Helmut Marko.

Mendohet se ka pak dashuri të humbur midis Marko-s, këshilltarit special të Red Bull-it, dhe Horner-it, një situatë e bërë edhe më komplekse nga marrëdhënia e ngushtë e të parit me Verstappen-in.

Si kreu i programit të zhvillimit të pilotëve të Red Bull-it, Marko ishte një avokat i hershëm dhe i apasionuar i Verstappen-it, i cili mbetet jashtëzakonisht i afërt me austriakun dhe thuhet se ka shtyrë përpara zgjatjen e kontratës së tij me tre sezone.

Thashethemet për përplasje midis dy figurave kryesore dolën në sipërfaqe sezonin e kaluar, me spekulime të shumta se Horner-i ishte i gatshëm të kishte një ndikim më të madh si në Red Bull ashtu edhe në ekipin simotër AlphaTauri (tani RB), në kurriz të Marko-s.

“F1 Insider” kishte raportuar më parë se Horner-i “kishte planifikuar dhe po planifikonte (ende) një grusht shteti” kundër 80-vjeçarit.

Cilado qoftë ndarja brenda Red Bull-it, 51-vjeçari, tashmë ish-shefi, duket se e ka humbur betejën dhe lajmi i largimit të tij u njoftua me pak bujë nga ekipi që ai udhëhoqi për dy dekada.

Deklarata e Red Bull lexonte thjesht: “Red Bull ka liruar Christian Horner-in nga detyrat e tij operative duke filluar nga sot, e mërkurë, 9 korrik 2025, dhe ka emëruar Laurent Mekies si Drejtor Ekzekutiv të Red Bull Racing”.

E pakët, por konkretisht, me sa duket i ka dhënë fund si mandatit të drejtorit më jetëgjatë të rrjet, ashtu edhe një beteje për pushtet prapa skenave. /Albanianpost.com

Read Previous

Meloni: Le ta imagjinojmë që tani një Ukrainë të lirë dhe të rindërtuar

Read Next

Si ndikuan masat e BE-së ndaj Kosovës që s’u hoqën kurrë?