Përpjekjet për rimëkëmbje në Izium pas çlirimit nga pushtimi 6 mujor rus

Banorët e qytetit ukrainas të Iziumit thonë se janë të vendosur të rindërtojnë jetën e tyre pas çlirimit nga pushtimi gjashtë mujor rus. Zyrtarët ukrainas thonë se 90 për qind e qytetit është shkatërruar nga rreth 500 sulme ajrore.

Muajt e pushtimit rus kanë lënë pasoja të rënda për qytetin ukrainas të Iziumit, i cili ndodhet në rajonin e Kharkivit.

Pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar. Ende mund të shihen shenjat e vdekjes, torturës dhe pikëllimit. Banorët e traumatizuar thonë se nuk mund ta besojnë se tmerri ka mbaruar.

Forcat ukrainase e çliruan qytetin më 10 shtator. Hetuesit thonë se gjetën varre masive dhe dhoma që janë përdorur për të torturuar njerëzit.

Popullsia e Iziumit ka rënë nga 50,000 para pushtimit rus në rreth 10,000 banorë, thonë zyrtarët.

Andrii është ndër ata që qëndruan në qytet. Ai strehoi mbi 60 persona në bodrumin e vendit të tij të punës. Andrii thotë se e njëjta ndërtesë e trashëgimisë kulturore, e ndërtuar në vitin 1840, shërbeu si strehë për banorët e Iziumit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ka patur bombardime të tmerrshme këtu. Mund ta shihni edhe vetë. Ne mezi mbijetuam. Ishte një gjendje e tmerrshme, shumë e frikshme dhe e rrezikshme”, thotë ai.

Andrii thotë se ushtarët rusë e zhveshën në oborrin e ndërtesës për ta kontrolluar për tatuazhe me simbole kombëtare ukrainase. Disa nga gratë e strehuara u arrestuan, sepse i quanin ushtarët rusë “orсs” në mesazhet që u dërgonin miqve të tyre, një referencë për luftëtarët monstruozë të përshkruar në romanet “Lord of the Rings” të autorit anglez J. R. R. Tolkien.

Më pas, në shtator, u shfaqën ushtarë të veshur me uniforma të ushtrisë ukrainase.

“Pas këtyre gjashtë muajve që ishim këtu nën pushtimin rus, ishte një ndjenjë e mirë të shihnim një uniformë të tillë ushtarake. Këta janë ushtarët tanë. U emocionova, isha i lumtur dhe mu mbushën sytë me lotë”, thotë ai.

Do të duhet shumë kohë për rimëkëmbjen e qytetit.

Sipas zyrtarëve ukrainas, Iziumi ishte nën pushtimin rus për gati gjashtë muaj. Që nga sulmi rus ndaj Ukrainës, qyteti ishte në shënjestër të pothuajse 500 sulmeve ajrore. Ai u sulmua nga ajri më shumë se çdo qytet tjetër në Ukrainë. 90 për qind e qytetit është shkatërruar. Autoritetet lokale thonë se mbi 1000 civilë mund të jenë vrarë. Banorët e qytetit ende nuk janë rimëkëmbur nga i gjithë tmerri që kanë përjetuar gjatë këtyre gjashtë muajve të pushtimit rus, por ata janë të vendosur t’i kthehen jetës normale në shtëpinë e tyre./VOA/Alsat.mk/

Read Previous

Gjermania zbret TVSH-në e gazit

Read Next

Stano: BE-ja s’e ka kontraktuar askënd për të hartuar statutin e Asociacionit