Përparim i madh në luftën kundër kancerit të pankreasit, ilaçi i ri tkurr tumoret te shumica e pacientëve

Një ilaç i ri eksperimental, i quajtur daraxonrasib, po shihet si një nga përparimet më të rëndësishme në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekadat e fundit, pasi rezultatet e një studimi të ri kanë treguar tkurrje të tumoreve te shumica e pacientëve.

Sipas rezultateve të prezantuara këtë javë në Barcelonë, në simpoziumin evropian-amerikan për terapitë e kancerit, ilaçi ka treguar efekte premtuese edhe te pacientët me kancer të avancuar të pankreasit, i cili ishte përhapur në organe të tjera.

Në studim morën pjesë 61 pacientë. Rezultatet treguan se te 90 për qind e tyre tumoret ndaluan së rrituri, ndërsa te më shumë se 60 për qind u tkurrën ose u zhdukën. Në rreth 8 për qind të rasteve, tumoret nuk shiheshin më në ekzaminimet me skaner CT.

Një vit pas nisjes së trajtimit, 76.6 për qind e pacientëve ishin ende gjallë. Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me mbijetesën mesatare njëvjeçare prej 40 deri në 45 për qind që raportohet te pacientët që trajtohen vetëm me kimioterapi.

Onkologu Dr. Wungki Park nga Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork, i cili prezantoi rezultatet, e përshkroi këtë zhvillim si më të afërtin me shërimin që ka parë te pacientët me këtë sëmundje.

Edhe shefja e organizatës britanike Cancer Research UK, Michelle Mitchell, e cilësoi këtë si një përparim të madh në trajtimin e kancerit të pankreasit, por theksoi se nevojiten studime të tjera për të konfirmuar rezultatet.

Daraxonrasib prodhohet nga kompania amerikane Revolution Medicines dhe funksionon duke bllokuar proteinën KRAS, e cila luan rol të rëndësishëm në rritjen e qelizave kancerogjene. Mutacionet e gjenit KRAS gjenden në pothuajse të gjitha rastet e kancerit të pankreasit.

Ky zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të agresivitetit të kësaj sëmundjeje. Kur kanceri i pankreasit përhapet në organe të tjera, mundësitë e mbijetesës afatgjatë janë shumë të kufizuara.

Megjithatë, pavarësisht rezultateve premtuese, studiuesit paralajmërojnë se ende nuk mund të flitet për shërim të plotë. Mbetet të përcaktohet se sa gjatë ilaçi mund ta mbajë sëmundjen nën kontroll, kur do të miratohet për përdorim të gjerë dhe sa do të kushtojë.

Po ashtu, nevojiten të dhëna të mëtejshme për të kuptuar nëse daraxonrasib mund të jetë efektiv edhe kundër llojeve të tjera të kancerit.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Shorti i Ligës së Kombeve sjell superpërballje, Spanja përballet me Francën

Read Next

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara thotë se po e vëzhgon çështjen e ndërrimit të Ligjit për Specialen, përmend vërejtjet e BE-së