OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse Ligji për Specialen vazhdon të zvarritet
Pengesa, përndjekje, mbikëqyrje. Në shumë pjesë të botës, besimtarët janë nën presion. Raporti formulon në mënyrë qartë edhe kritika ndaj Republikës Popullore të Kinës.
Dokumenti ka më shumë se 150 faqe, por përfundimi mund të përmblidhet në një fjali: “Gjendja e lirisë së fesë dhe besimit në mbarë botën është përkeqësuar gjatë periudhës së raportimit”, thotë i Ngarkuari i Qeverisë Federale për Lirinë e Fesë dhe Besimit, deputeti i CDU-së në Bundestag, Thomas Rachel. Në raportin e katërt të qeverisë gjermane për këtë çështje, të miratuar tani nga kabineti federal, ai analizon periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2025.
Për të katërtën herë, pas raporteve të viteve 2016, 2020 dhe 2023, qeveria gjermane i kushton një raport të posaçëm lirisë së fesë dhe besimit në mbarë botën. Sipas raportit, kjo liri është “gjithnjë e më shumë nën presion”. Në thelb nuk bëhet fjalë për shtypjen e strukturave apo sistemeve fetare, por për gjendjen e njerëzve konkretë, që kanë ose nuk kanë një besim fetar.
Rëndësinë e lirisë fetare, i ngarkuari i qeverisë e ilustron në mënyrë të qartë: “Feja dhe besimi kanë një rëndësi të madhe dhe janë pjesë e identitetit për katër nga pesë njerëz në botë. Njerëzit ngrihen me Zotin dhe shkojnë të flenë me Zotin. Kjo është pjesë e drejtpërdrejtë e jetës së tyre.” Të dhënat, sipas të cilave më shumë se 80 për qind e popullsisë botërore është fetare, bazohen në analizat e institutit të njohur PEW. Sipas tij, rreth 84 për qind e njerëzve në botë identifikohen me një fe.
Regjimet autoritare ushtrojnë presion ndaj komuniteteve fetare
Në një kohë kur sistemet autoritare po fitojnë terren ose po përsosin mekanizmat e tyre të mbikëqyrjes, raporti paraqet një tablo pjesërisht të zymtë. Numri në rritje i konflikteve të dhunshme, forcimi i regjimeve dhe strukturave autoritare të pushtetit, si dhe përhapja e populizmit kanë sjellë “kufizime të dhimbshme të lirisë së fesë dhe besimit në mbarë botën”.
Raporti nuk përpiqet të bëjë një renditje statistikore të sulmeve apo të njerëzve të përndjekur. Në vend të kësaj, qeveria gjermane analizon si shembull 30 vende, ku sipas saj ekzistojnë kufizime.
Rreth gjashtë vende i përkasin secilit prej rajoneve të Afrikës, Azisë dhe botës arabe. Në Evropë trajtohen Bjellorusia, Rusia, Ukraina dhe Turqia. Nga Amerika Latine përfshihen Meksika, Nikaragua dhe Kuba. Mangësi konstatohen gjithashtu në pesë nga gjashtë vendet më të populluara të botës: Indi, Kinë, Indonezi, Pakistan dhe Nigeri.
Për Indinë,raporti flet për “prirje hindu-nacionaliste”, të cilat rrezikojnë trajtimin e barabartë të të gjitha feve të njohura. Bashkëjetesa kryesisht paqësore mes feve “vazhdimisht errësohet nga tensionet dhe, në disa raste, nga dhuna”. Si myslimanët ashtu edhe të krishterët ankohen për rritje të intolerancës dhe gjuhës së urrejtjes. Grupe radikale hinduiste të gatshme për dhunë kanë kryer një “numër të madh sulmesh fizike” kundër myslimanëve. Policia dhe administrata shpesh reagojnë në mënyrë të pamjaftueshme.
Për Kinën,qeveria gjermane konstaton një “forcim të ndjeshëm të kuadrit ligjor të kontrollit në dëm të lirisë së fesë dhe besimit”. Kjo prek veçanërisht ujgurët, tibetianët dhe kishat që nuk janë të miratuara zyrtarisht dhe ndaj të cilave autoritetet shtetërore ndërhyjnë me ashpërsi. Ligji për “nxitjen e unitetit etnik dhe përparimit”, i cili ndërkohë ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, e vendos fenë në funksion të “formimit të identitetit kombëtar” dhe të edukimit patriotik.
Një nga vendet ku situata është përkeqësuar më së shumti është Nikaragua, e cila që prej vitit 2018 e kufizon rëndë lirinë e fesë dhe besimit. Represioni prek sidomos Kishën Katolike. “Frikësimi, përndjekja, burgosja dhe dëbimi” kanë bërë që rreth 130 priftërinj, murgj dhe murgesha të detyrohen të largohen nga vendi. Disa peshkopë jetojnë në mërgim.
Qeveria gjermane vlerëson pak udhëheqës fetarë me aq kritikë sa patriarkun ortodoks rus Kirill. Nën drejtimin e tij, Kisha Ortodokse Ruse e mbështet fuqishëm luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës dhe e konsideron atë një “luftë të shenjtë”. “Armët bekohen, ushtarëve rusë u falen mëkatet dhe mblidhen donacione për luftën”, thuhet ndër të tjera në raport. Ky është ndoshta shembulli më i qartë në raport se si edhe vetë feja mund të shndërrohet në mjet shtypjeje dhe dhune.
Frikësime edhe “përtej kufijve”
Raporti trajton shprehimisht edhe kërcënimin nga “represioni transnacional” (TNR). Ai përbën një “problem botëror në rritje” dhe shfaqet edhe në Gjermani. Me këtë term nënkuptohet përndjekja ose frikësimi i njerëzve nga shteti i tyre i origjinës edhe përtej kufijve të atij shteti.
Në fund të fundit, bëhet fjalë për një “vazhdim të represionit të brendshëm shtetëror”. Ky “represion ndërkufitar” është lehtësuar ndjeshëm nga disponueshmëria e mjeteve digjitale të shtypjes, si fushatat denigruese në rrjetet sociale ose programet e spiunimit.
Sipas raportit, ky presion mund të marrë formën e sulmeve fizike ndaj personave, por edhe të sulmeve digjitale, si frikësimi ose shpifja në internet. Në disa raste, represioni ushtrohet edhe përmes kërcënimit të familjarëve që vazhdojnë të jetojnë në vendin e origjinës. Si ndër “shkaktarët kryesorë të represionit transnacional” në Gjermani, raporti përmend “për shembull Rusinë ose Iranin”.
Duke iu referuar konflikteve fetare ose të botëkuptimeve, raporti veçon shprehimisht Kinën. Represioni nga Pekini në Gjermani drejtohet kryesisht ndaj pjesëtarëve të atyre grupeve që Partia Komuniste Kineze i klasifikon si “armiqësore ndaj sistemit”. Mes tyre janë ujgurët, tibetianët dhe anëtarët e lëvizjes Falun Gong. Ata janë “edhe në Gjermani objekt i masave të survejimit dhe represionit”, ndërsa familjarët e tyre që jetojnë në Kinë vihen nën presion.
Thomas Rachel shpreson që raporti i publikuar tashmë “të diskutohet në sa më shumë komisione të Bundestagut” dhe që deputetët “të merren në mënyrë përkatëse me këtë temë”. Raportet e mëparshme të qeverisë gjermane janë bërë të paktën një herë, e në disa raste dy herë, objekt debati në seancat plenare të parlamentit.
Feja përfshihet sërish më fuqishëm në politikën e jashtme
Me këtë legjislaturë ka ndryshuar edhe pozicioni institucional i kësaj teme brenda qeverisë gjermane. I ngarkuari Thomas Rachel e ka zyrën në Ministrinë e Jashtme. Dy paraardhësit e tij që nga viti 2018 kishin qenë të vendosur pranë Ministrisë së Zhvillimit.
Sot rëndësia e fesë “merret parasysh” në politikën e jashtme gjermane, thotë Rachel. Ai përmend gjithashtu përfshirjen e tij në trajnimin e diplomatëve të Ministrisë së Jashtme.
Në këtë mënyrë, koalicioni CDU-SPD nën kancelarin Friedrich Merz ka përmbysur një vendim strukturor të qeverisë së mëparshme nën kancelarin socialdemokrat Olaf Scholz (2021-2025), e cila, me sektorin “Feja dhe politika e jashtme”, ia kishte ulur rëndësinë institucionale kësaj teme. Tani feja dhe raporti i saj me politikën e jashtme kanë sërish një peshë më të madhe.
Një shembull: ministri i tanishëm i Jashtëm Johannes Wadephule ka vizituar Vatikanin më shpesh sesa dy paraardhësit e tij, Heiko Maas dhe Annalena Baerbock, të marrë së bashku. Përveç zyrës së Rachelit, prej disa kohësh në ministri ekziston edhe një sektor i posaçëm, i drejtuar nga një ambasador, i cili merret ndër të tjera me “çështjet themelore të fesë dhe politikës së jashtme”./DW/