PDK kërkon llogaridhënie për financimin dhe promovimin shtetëror të ekspozitës që shtrembëron historinë

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme dhe skandaloze ekspozitën e fundit për masakrat e luftës 1998–1999, e cila shtrembëron të vërtetën historike.

Përmes një komunikate për media, kjo parti ka vlerësuar se ekspozita në fjalë e cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

Sipas PDK-së, cdo përpjekje për t’i relativizuar krimet e kryera në Kosovë dhe për t’i manipuluar faktet apo për ta deformuar të vërtetën është e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike.

“Përderisa nga jashtë, veçanërisht në Hagë, po tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme, nga brenda rishkrimi i saj po financohet me para të shtetit dhe po promovohet nga përfaqësuesit shtetërorë. Kjo ngre dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe për standardet e verifikimit të përmbajtjeve që prekin çështje kaq të ndjeshme kombëtare. Partia Demokratike e Kosovës kërkon: * Sqarim të plotë publik mbi mënyrën se si është përgatitur dhe miratuar kjo ekspozitë. * Identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj. * Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës. * Hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik”, është thënë në komunikatën e PDK-së. /Nacionale/

Read Previous

OVL e UÇK-së: Përgjegjësia për ekspozitën bie mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë

Read Next

Mbështetja e ekspozitës me të dhëna nga Serbia, Kuvendit i kërkohet përgjegjësi politike: Të bëhet publike shuma e parave