Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje pranoi letër urimi për Qeverinë dhe mandatin e ri nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz.
Në letrën e tij, Merz e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen si Kryeministër, duke theksuar se pas muajve të pasigurisë politike, konfirmimi i zgjedhjes së tij krijon mundësi për zgjidhjen e çështjeve institucionale dhe avancimin e reformave.
“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta. Konfirmimi i zgjedhjes Tuaj ofron mundësinë e ndërtimit të urave përtej prizmit partiak, zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave”, shkroi Merz.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përparimeve në dialogun e normalizimit me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Esenciale mbeten edhe përparimet thelbësore në dialogun e normalizimit me Serbinë të udhëhequr nga BE-ja”, shkroi ai.
Kancelari gjerman ka theksuar se Gjermania vazhdon të qëndrojë në krah të Kosovës, duke nënvizuar lidhjen e veçantë me popullin e Kosovës.
“Gjermania qëndron fuqishëm në anën e Kosovës. Ne jemi të lidhur me njerëzit e Kosovës në një miqësi të veçantë”, thuhet në letër.
Në fund, Merz i ka uruar Kurtit sukses në drejtimin e mandatit të ri.
“Për drejtimin Tuaj të detyrës, ju uroj shumë sukses”, përfundoi Kancelari Merz. /RTKlive