Pas suksesit të filmi “Zgjoi” reagojnë politikanët: Kjo është e vërteta e Kosovës

Filmi artistik nga Kosova ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli sot bëri historinë, duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA.

Lidhur me këtë sot ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Ajo vlerësoi se suksesi i filmit “Zgjoi” është ndër arritjet më të mëdha ndërkombëtare të kulturës dhe filmit kosovar.

“Zgjoi’ është e vërteta e Kosovës, një histori prekëse e grave të Krushës së Madhe, që rindërtuan jetën e tyre mbi dhimbjen. Këtë histori të vërtetë të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, bota edhe pas 21 vitesh ka nevojë ta dëgjojë e ta rikujtojë”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka falënderuar komunitetin e jashtëzakonshëm artistik e kulturor të Republikës së Kosovës, të cilët gjithmonë arrijnë të promovojnë Kosovën në botë, në të shumtën e herëve me vetiniciativë.

“Për arritjen e mbrëmshme përgëzoj veçanërisht regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin e saj fantastik”, tha ajo.

Për këtë ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

“Kosherja e Blerta Bashollit ka thyer rekorde në kategorinë dramatike të kinemasë botërore. Kosherja, e cila pason një nënë të vetme në pasluftën e luftës në Kosovë, ka mposhtur Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin Drejtues, dhe Çmimin e Audiencës në Kategorinë Dramatike të Kinemasë Botërore, duke u bërë filmi i parë në atë kategori”, shkruan ajo.

Edhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i është gëzuar fitores historike të filmit “Zgjoi” në festivalin e madh amerikan “Sundance”.

Kurti shkruan në Instagram se ky është një moment historik për filmin e Kosovës dhe përgëzoi ekipin për këtë sukses.

“Edhe një moment historik për filmin e Kosovës! Me shumë gëzim e krenari e kemi pranuar lajmin për suksesin e filmit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Filmi “Zgjoi” ka fituar shpërblimin kryesor në Sundance Film Festival në ShBA, si filmi më i mirë i vitit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mbrëmë natën vonë.

“Zgjoi”, i cili është bashkëproduksion i Kosovës me Zvicrën, është shpërblyer edhe për regjinë më të mirë nga Blerta Basholli, si dhe ka marrë edhe çmimin e publikut, duke i sjellur kështu gjithsej tre shpërblime për Kosovën. Sundance Film Festival është një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, dhe ky vlerësim i lartë në arenën ndërkombëtare është gjithsesi historik për filmin tonë.

Përgëzojmë gjithë ekipin për këtë sukses!”, ka shkruar Kurti në Instagram.

Lidhur me suksesin e këtij filmi ka reaguar edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.

“Jo një, as dy, por tri çmime të fituara në festivalin e filmit “Sundance”! Urime regjisores Blerta Basholli dhe krejt ekipit të filmit “Zgjoi”. Një falënderim të madh edhe për Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës- jeni motiv i forcës dhe kurajos së gruas shqiptare! Diplomacia kulturore e Kosovës frymon kur atë e bëjnë artistët tanë thjesht duke shpërfaqur talentin e tyre dhe duke shndërruar dashurinë që kanë për artin në kryevepra! Krenare sa më s’ka!”, tha ajo. /Telegrafi/

Read Previous

​Liga 1 e Francës rikthehet me program të ngjeshur

Read Next

Sulmohet seksualisht në vendin e punës në Zveçan