Parku Arkeologjik i Apolonisë shpallet pasuri kulturore të paluajtshme, plan i ri administrimi

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për deklarimin e Parkut Arkeologjik Apoloni si “pasuri kulturore e paluajtshme”, duke përcaktuar gjithashtu kufirin, zonifikimin dhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.

Sipas vendimit, statusi i ri i jepet Parkut Arkeologjik Apoloni në përputhje me hartën e zonifikimit dhe koordinatat në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat janë pjesë përbërëse e aktit.

Po ashtu, qeveria ka miratuar planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e parkut, me qëllim forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e menaxhimit të një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike në vend.

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ngarkohet për publikimin e hartës së re në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e vendimit sipas legjislacionit në fuqi.

Për zbatimin e vendimit ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Njësia e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apoloni, si dhe Bashkia Fier.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./Atsh/KultPlus.com

Read Previous

BE: Kosovës i duhen institucione funksionale për të përshpejtuar reformat dhe rrugën evropiane

Read Next

Mrekulli në Venezuelë, djali gjendet gjallë pas gjashtë ditësh nën rrënoja