Paralajmërohet zvogëlim i afatit të pritjeve në provimet për patentë shoferë

Nga Departamenti i Patentë Shoferit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është paralajmëruar zvogëlim i kohës së pritjes për nënshtrimin në provimin teorik dhe atë praktik të marrjes së patentë shoferit.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike për lajmi.net, nga ky departament kanë thënë se po organizojnë provime edhe përgjatë ditëve të vikendit, derisa kanë bërë të ditur edhe arsyet e shkaktimit të vonesave.

“Pritjet janë si pasojë e pandemisë, që gjatë testimit kemi qenë të obliguar në kufizimin e numrit të kandidateve që i nënshtrohen provimit  në sallat e testimit, gjithashtu vlen të potencohet që vonesat kanë qene edhe në mungesë të pyetësve nga pjesa praktike e provimit. Si Departament i Patentë Shoferit  kemi ndërmarrë masat per zvogëlimin e aftit të pritjeve, ku kemi dhe jemi  duke organizuar provime edhe ditën e shtunë”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu, është shpresuar se do të rritet numri i pyetësve në mënyrë që të reduktohen pritjet.

“Sa i përket shtimit të numrit të pyetësve është kompetencë e Departamentit të Automjeteve, Ne si Departament kemi kërkuar që të fillohet trajnimi dhe Licencimi i Pyetësve të drejtimit dhe mendoj që shumë shpejt do të kemi edhe një numër të pyetësve të licencuar që do ishte e mirë se ardhur për zbutjen e pritjeve  të testimit të kandidatëve të cilët i nënshtrohen provimit”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Lajmi.net ka pyetur edhe për efektshmërinë e vendosjes së kamerave përgjatë provimeve praktike, megjithatë nga ky institucion nuk kanë dhënë informata të detajizuara lidhur me të.

“Kamerat në pjesën praktike janë të vendosur për rritjen e transparentes  dhe këto e kanë një efekt pozitiv në testimin praktik”, është thënë në përgjigjen e MI-së.

Kujtojmë se përgjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, pritjet për t’iu nënshtruar provimit teorik, e posaçërisht atij praktik, kanë zgjatur me muaj. 

/Lajmi.net/

Read Previous

Konjufca kritikon Qeverinë e Kosovës për mungesën në Parlament gjatë seancës

Read Next

Berisha i kërkon Konjufcës të heqë produktet serbe nga byfeja e Kuvendit